Teuta Danuza: Bullizmi si dukuri shfaqet në shumë mënyra, shënjestër janë personat më të pafuqishëm

Teuta Danuza, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, ka thënë se bullizmi si dukuri dallon nga format e tjera të dhunës pasi shfaqet në forma të ndryshme.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” potencoi se bullizmi është konsistent, nuk ndodh një herë por mund të vazhdojë për javë, muaj ose periudhë më të gjatë.

“Bullizmi dallon nga format tjera të dhunës pasi  përfshin dhunë verbale, fizike, psikologjike apo sociale. Ky dallim është pasi ka tre elemente që e bëjnë të veçantë. Si fillim ka të bëjë me konsistencën, nuk ndodh një herë por disa herë në muaj, javë apo më gjatë”, ka thënë Danuza.

Sipas saj, bullistët zakonisht targetojnë viktima më të pafuqishme që shpesh edhe rrethin social e kanë të tillë.

“Në mes të ushtruesit të bullizmit dhe viktimës ekziston një lloj disbalanci në fuqi, viktima është gjithmonë e pafuqishme kurse ushtruesi gjithmonë më i fuqishëm. Viktimat janë zakonisht më të dobët ose më ndryshe në rrethin social. Viktimat e bullizmit zakonisht kanë edhe rrjet të dobët social që i bënë targete të lehta”, shtoi tutje Danuza.