Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tetovë, mbi gjashtë mijë dënime për parkim të paligjshëm në vitin 2022

6,373 është numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm në Tetovë gjatë vitit të kaluar (2022), ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 4,432. Kështu bëri të ditur Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Numri më i madh i masave të vitit të kaluar janë shqiptuar në dhjetor (822), nëntor (772), tetor (711) dhe korrik (691).

“Kundërvajtësit do të përballen me gjoba që, në varësi të kundërvajtjes, variojnë nga 45 deri në 180 euro në kundërvlerë në denarë. Automjetet të cilat pengonin lëvizjen normale të përdoruesve të tjerë të rrugës janë marrë nga “shërbimi merimangë” i Tetovës. Kështu që numri i përgjithshëm i tyre vitin e kaluar ishte 4,432 automjete të ngritura”, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Përndryshe, nga ky sektor njoftuan se kanë intensifikuar aktivitetet për rend dhe siguri më të madhe me parkingjet në Tetovë. Ndërkaq, dje policia ka ndërmarrë 21 masa të cilat janë sanksionuar automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme, kryesisht në zonën qendrore të qytetit./Portalb.mk