Tetë vite nga marrëveshja e parë e parimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Të hënën janë mbushur tetë vite pas arritjes së marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me 19 prill të vitit 2013 në Bruksel.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë të ditur se  shtatë pika të kësaj marrëveshje janë zbatuar, dy pika janë zbatuar pjesërisht, ndërsa gjashtë pika të marrëveshjes ende nuk janë zbatuar.

Sipas KDI-së, nga marrëveshja e 19 prillit kanë derivuar edhe një sërë marrëveshjesh tjera të dialogut për çështje si mbledhja e të hyrave doganore, energjia, telekomi, drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Kjo e fundit [Asociacioni] është edhe çështja kryesore e Marrëveshjes së 19 prillit, e cila ende mbetet e pazbatuar. Që nga arritja e marrëveshjes specifike për këtë temë në gusht të vitit 2015 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në raportin e KDI-së.

Instituti ka dhënë  një historik të shkurtër në lidhje me marrëveshjen e Asociacionit, në një raport në lidhje me këtë përvjetor.

Burimi: KDI

“Ish qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte krijuar Ekipin Menaxhues në vitin 2016, i cili kishte për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit. Pasi statuti nuk ishte përfunduar gjatë asaj periudhe, qeveria pasardhëse e udhëhequr nga Ramush Haradinaj sërish kishte aktivizuar këtë ekip. Njoftimet zyrtare të kësaj qeverie kanë qenë se Ekipi nuk ka dorëzuar statutin në Qeveri dhe se nuk dihet nëse i njëjti i është dorëzuar Brukselit”.

KDI-ja ka shtuar se çështja e Asociacionit është riaktualizuar si temë edhe gjatë qeverisë së udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.

“Pas takimeve të mbajtura në Bruksel në kuadër të diskutimeve mbi elementet e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, pala serbe kishte kërkuar që çështja e Asociacionit të diskutohej, ndërsa pala kosovare nuk kishte pranuar një gjë të tillë. Në anën tjetër Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit të dialogut, ka kërkuar që Kosova të gjejë modalitete për themelimin e Asociacionit duke mos e qartësuar se çfarë do të thotë saktësisht kjo”, thuhet në raport.

Instituti tutje ka theksuar se me rënien e Qeverisë Hoti në fund të vitit 2020 mbeti e paqartë se si do të procedohej tutje me këtë çështje.

“Ndërsa pas zgjedhjeve të reja qeveria e re tani udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit nuk e ka bërë të qartë se cila do të jetë qasja e Qeverisë ndaj dialogut në përgjithësi, përveç se ka deklaruar se do të jetë një qasje ndryshe ndaj këtij procesi dhe se dialogu nuk është prioritet i qytetarëve”, vijon raporti.

Ajo që është e qartë sipas KDI-së, është që tema e dialogut do të jetë sfidë edhe për Qeverinë e re, e cila duhet që sa më parë të artikulojë një qëndrim të qartë ndaj temave të dialogut dhe marrëveshjeve tashmë të arritura, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e 19 prillit, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nisi dialogun teknik me Serbinë.

Më 8 mars të vitit 2011, u mbajt takimi i parë mes të dyja vendeve, për të pasuar me shumë të tjerë, me mbi 30 marrëveshje të arritura, shumica e të cilave nuk kanë gjetur zbatim as pas 10 vitesh negociata.

Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Nga ai teknik, dialogu Kosovë-Serbi kaloi në nivel teknik për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, në tetor të vitit 2012.

Një dekadë dialog Kosovë-Serbi