Dejgia e veturës në Zubin Potok | Foto: Blerim Vela/Twitter

Tetë vetura të djegura për tri ditë në veri të Mitrovicës

Në ditët e fundit, tetë vetura janë djegur në veri të Mitrovicës nga persona të panjohur.

Veturat të cilat kanë pësuar djegie sipas deklarimeve zyrtare kanë qenë prona të qytetarëve serb që jetojnë në zonën e veriut të Mitrovicës, por që kanë pasur regjistrimet me RKS.

Çështja e regjistrimit të targave në RKS për qytetarët të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës ka ngritur disa herë tensionet në atë zonë.

Vetëm në tri ditët e fundit, datat 30, 31 mars dhe 1 prill, tetë vetura janë regjistruar si të djegura në databazën e Policisë së Kosovës.

Këto vetura janë djegur kryesisht në komunat Zubin Potok, Leposaviq e Mitrovicë Veriore.

Në njoftimet e Policisë së Kosovës për këtë çështje, vërehet se djegia e veturave është bërë gjatë natës, ose në orët e hershme të mëngjesit.

Në dy rastet e fundit, që janë regjistruar tri vetura të djegura, të tria në Leposaviq, vërehet se ankuesit kanë raportuar në polici se djegia e veturave ka ndodhur në një interval kohor, nga ora 3 e mëngjesit deri në orën 4.

Dy shtetas serb kanë raportuar në polici gjatë ditës së djeshme se dy veturat e tyre janë djegur, njëra ka qenë me targa RKS e tjetra me targa të Beogradit.

Njësitë policore por edhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të shuar zjarrin.

Ngjashëm i ka ndodhur edhe një gruaje në Leposaviq. E njëjta ka raportuar në polici se vetura e saj e regjistruar me targa RKS është djegur.

Të gjitha rastet e raportuara ditëve të fundit janë duke u trajtuar nga organet e rendit nën dyshimet për veprën penale të zjarrvënies.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës, njoftoi se kishte arrestuar një person të dyshuar me inicialet M.B., nën dyshimet për disa vepra penale, përfshirë edhe atë të djegies së disa veturave në komunën e Zubin Potokut.

Arrestimi i M.B., sipas policisë erdhi pas hetimeve intensive për të zbardhur rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë e edhe djegien e veturave të qytetarëve serb me targa RKS.

Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.