Ilustrim

Tetë raste të dhunës në familje

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë tre ditëve të fundit.

Tre prej tyre raportohen të kenë ndodhur në Prishtinë.

Sipas Policisë së Kosovës, të shtunën e 20 gushtit është arrestuar një burrë nën dyshimin se ai ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

PK-ja ka njoftuar se viktimës i është ofruar tretman mjekësor kurse me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Rast i njëjtë, raportohet se ka ndodhur më 21 gusht, ku sipas PK-së një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi që ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Rasti ka ndodhur rreth orës 00:30.

Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe më datën 22 gusht në Prishtinë rreth orës 22:30.

Një tjetër ngjarje ka ndodhur të dielën e 21 gushtit në Kamenicë ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua dhe disa persona tjerë.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar një sëpatë e cila ndërlidhet me rastin. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – është thënë në njoftimin e policisë.

Një tjetër burrë është arrestuar në Suharekë pasi dyshohet se ai ka ushtuar dhunë ndaj një gruaje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe se rasti është duke u hetuar.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 13:00.

Një tjetër rast ka ndodhur në të njëjtën datë në Suharekë ku është arrestuar një grua nën dyshimin se ka kanosur një burrë.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje kurse rasti vazhdon nën hetime.

Ndërkaq, të hënën është arrestuar një burrë në Gjakovë pasi dyshohet se ai kishte ushtruar dhunë psiqike dhe kishte ofenduar përmes rrjetit social një grua.

“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës ka raportuar për një tjetër rast të dhunës në familje dhe armëmbajtje pa leje në Gjakovë.

Sipas policisë, më 21 gusht rreth orës 21:00 në Gjakovë është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtuar dhunë fizike ndaj një gruaje.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Lidhur me rastin po ashtu është realizuar një bastisje në shtëpinë të dyshuarit me ç ‘rast janë gjetur dhe sekuestruar: një armë AK 47 me një karikator dhe 15 fishekë, një revole me një karikator dhe një këllëf i revoles. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftimin e PK-së.