Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet sipas raportit policor kanë ndodhur: dy në Prishtinë, një në Fushë Kosovë, në Istog, Prizren, Suharekë, Pejë dhe Gjakovë.

Në Prishtinë, është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Policia njofton se, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës ka ndodhur në Prishtinë, ku Policia thotë se një burrë ka informuar se është sulmuar fizikisht nga gruaja e tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë, një grua ka raportuar në policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Istog, forcat e rendit kanë arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka arrestuar një grua në Prizren, nën dyshimin se e njëjta ka ushtruar dhunë ndaj djalit të saj që sipas raportit policor, është i moshës 13 vjeç.

E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Suharekë, ku Policia ka arrestuar një person që dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe bashkëshortes së tij.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një burrë në Pejë është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Policia njofton se viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

Ndërkaq, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Në raportin policor bëhet e ditur se viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe më pas ka shkuar tek vëllai i saj.

Më tej, Policia thotë se janë proceduar shkresat për urdhër mbrojtës.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari pas intervistimit të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.