Foto: REL/Reuters

Tetë punëtorë vdiqën në Kosovë në vendin e punës që nga janari

Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020, 8 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës, ndërsa 69 të tjerë kanë përfunduar më lëndime.

Këtë të hënë, një punëtor derisa ishte duke punuar  në vendin e punës, në rrugën “Fehmi Agani”, në kryeqytet, ishte rrëzuar nga ndërtesa duke pësuar lëndime.

Rastin e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëvendëskryeinspektori për Siguri në Punë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agim Millaku, ka thënë për KALLXO.com se arsyet pse ndodhin këto raste është sidomos mostrajnimi i punëtorëve për punë si dhe pajisjet joadekuate që ata përdorin.

“Gjatë këtij viti kanë ndodhur gjithsej 77  aksidente në vend të punës, me fatalitet –vdekje në punë kanë përfunduar 8 raste dhe 69 kanë përfunduar me lëndime. Arsyet pse ndodhin rastet aksidentale janë mosmarrja e masave për parandalimin e aksidenteve,  mostrajnimi i punëtorëve për punë të sigurt, mosudhëzimi i duhur i punëtorëve për ekzekutimin e punëve në mënyrë të sigurt, pajisjet për punë joadekuate dhe të pasigurta, shprehia e keqe në kryerjen e punëve”, tha ai.

Millaku shtoi se sektori në të cilin kanë ndodhur më së shumti aksidente është ai i ndërtimtarisë.

“Për rastet aksidentale janë kryer 77 inspektime si dhe janë kryer 4364 inspektime sipas planifikimit të punës. Sektori në të cilin kanë ndodh më së shumti raste të aksidenteve në punë është sektori i ndërtimtarisë”, tha tutje zëvendëskryeinspektori.

Vetëm këtë javë dy punëtorë kanë pësuar lëndime në vendin e punës.