Tetë punëtorë të një firme private në Fushë Kosovë ankohen se u larguan padrejtësisht nga puna

Tetë punëtorë të firmës private të transportit të mallrave ‘Rail-Trans’ me bazë në Fushë Kosovë, po ankohen se janë larguar padrejtësisht nga puna.

Punëtorët Arif Kryeziu, Xhemal Maxhuni, Bashkim Maxhuni, Ibrahim Berisha, Rexhep Sopjani, Rushit Vllasa, Gani Emini dhe Feim Bunjaku, thonë se firma i ka larguar nga puna me datë 22 prill, pasi këta kishin refuzuar që të punojnë në orarin e ri, pasi sipas tyre, që nga muaji janar i kanë marrë pagat 50% më pak.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Rexhep Sopjani, njëri nga këta punëtorë thotë se vendimi për largim nga puna i ka shkuar vetëm njërit prej punëtorëve.

“Që nga data 22 prill jemi larguar nga puna. Ndërsa nga data 15 prill kemi filluar një lloj greve, sepse që nga janari 2020 i kemi marrë pagat përgjysmë. Ne nuk kemi pranuar të punojmë me paga të përgjysmuara, ndërsa menaxhmenti na ka thënë se ‘nëse doni me punu kështu, nëse jo lironi punën’”, ka thënë Sopjani për KALLXO.com.

Ai ka thënë se që nga viti 2018 nuk kanë kontrata të rregullta dhe kanë punuar ‘në të zezën’.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i ‘Rail-Trans’, Besim Asllani, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se pretendimi i tetë punëtorëve se ‘janë larguar padrejtësisht nga puna’ nuk qëndron, pasi sipas tij, ata kanë refuzuar të paraqiten në orarin e punës, të dorëzuar nga mbikëqyrësi i tyre.

“Në muajin janar kemi pas një takim me punëtorët dhe iu është sqaruar që me volumin e punës që kemi, do të duhet ose të reduktohet stafi ose të reduktohen pagat për të gjithë. Ka qenë një pajtueshmëri me ta që të bëhet reduktim page për të gjithë në masën prej 50% të pagës, deri në përmisimin e volumit të punës”, ka thënë Asllani në përgjigjen e tij përmes email-it.

Asllani ka thënë se që nga 21 prilli këta punëtorë kanë refuzuar të dalin në punë, kurse sipas tij, të gjithë punëtorët kanë kontrata të rregullta.