Tetë muaj pas inaugurimit prishet rruga “Skënderbeu” në Bardhosh të Prishtinës

Ende pa u bërë një vit nga inaugurimi, Komuna e Prishtinës është detyruar të ndërhyjë sërish në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Bardhosh.

Në projektin e komunës për këtë rrugë fillimisht nuk ishin paraparë me kontratë, ndërtimi i kanalizimit atmosferik, fekal dhe kanali i rrjetit të elektrikes. Dhe, si shkak i kësaj pas 8 muajve nga inaugurimi i rrugës është deformuar asfalti në pjesë të caktuara.

Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se punimet e kësaj rruge kanë përfunduar në dhjetor 2023 dhe tani po punohet në ndërtimin e disa punëve që nuk kanë qenë të parapara në kontratë.

“Punimet në këtë rrugë janë përfunduar në vitin e kaluar në dhjetor 2023. Për shkak të ndërtimit të kanalizimit atmosferik, fekal dhe kanalit të rrjetit të elektrikes, ku një pjesë e tyre nuk ka qenë e paraparë të ndërtohet me paramanës e kontraktuar është dashur që këto punë ti kryej një kompani tjetër, ku në terë trupin e rrugës kemi pasur infrastrukturën nëntokësore (janë hapur 4 kanale, kanalizimi fekal, atmosferik, ujësjellësit dhe elektrikes) andaj në disa pjesë të rrugës janë paraqitur deformime të asfaltit të cilat tani jemi duke i sanuar”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Ndërsa, qytetarë të kësaj zone ankohen për gjendjen e rrugës duke thënë se po intervenohet për herë të tretë brenda një viti dhe se po i “marrin në qafë” me këto probleme.

“Siç po e shihni na kanë lodhë më këtë rrugë… E treta herë që po e prishin e po e ndreqin. Nuk e di unë arsyen pse. Ka qenë një kompani tjetër njëherë, ajo ka dështuar- e ka marrë tjetra. Nuk e di unë e çka është problemi i tyre. Sa e shtrojnë, ndreqët, pas 10 dite veç kur e shohim që ka ra asfalti vende- vende. Neve janë t’u na marrë në qafë”, – është shprehur qytetari Bashkim Brajshori.

Ndërsa nga Komuna kanë njoftuar se punimet janë duke u kryer vetëm në vende të caktuara ku ka pasur nevojë për intervenim.

Këto punime, sipas Komunës, pritet të përfundojnë më së largu të hënën më 02.09.2024.

“Do të intervenohet në pjesët e rrugës ku janë paraqitur defekte-deformime. Është bërë prerja e asfaltit dhe demolomi i tyre, ndërsa asfaltimi do të përfundoj brenda kësaj jave, më së largu të hënën e javës tjetër”, – është përgjigjur Komuna e Prishtinës.

Kallxo.com lidhur më këtë rrugë ka kërkuar nga komuna përgjigje nëse ajo është pranuar teknikisht ose jo nga organet kompetente komunale, por komuna nuk ka ofruar përgjigje për këtë.

https://fb.watch/uhTwovSQr1/