Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tetë kandidatët që janë ftuar në intervistë për drejtor të RTK-së

Tetë kandidatë për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për fazën e fundit të konkursit – intervistë.

Kandidatët që kanë marrë mbi 50% të pikëve të testit me shkrim dhe që janë ftuar për intervistë janë: Shkumbin Ahmetxhekaj që ka marrë 80.7% të pikëve nga testi me shkrim, Bekim Hasani që ka marrë 79.2% të pikëve, Fadil Hoxha – 73.7%, Hysen Hundozi – 70.7%, Gjergj Filipaj – 69.3%, Arben Berisha – 65.8%, Fisnik Dërguti – 52.2% dhe Adriana Kutllovci – 50%.

Kurse kandidatët të cilët nuk e kaluan testin me shkrim janë: Valentina Saraçini (46.3%), Fahredin Shehu (46.2%) dhe Orhan Hajrizi (41.2%).

Lista e kandidatëve të ftuar për intervistim është preliminare pasi tre kandidatët që nuk e kanë kaluar testin kanë mundësi për ankimim. 

Të gjithë kandidatët i janë nënshtruar testit me shkrim në të njëjtën kohë. Pyetjet janë hartuar nga anëtarët e bordit të RTK-së. 

Pas përfundimit të testimit, anëtarët e bordit të RTK-së në mënyrë autonome i kanë vlerësuar testet e plotësuara nga kandidatët dhe i kanë poentuar secilën përgjigje të dhënë. Më pas pikët e githë anëtarëve të komisionit vlerësues janë mbledhur dhe është nxjerrë mesatarja e pikëve të dhëna.

Anëtarët e Komisionit Vlerësues nuk i kanë bërë publike pikët e dhëna për secilin kandidatë, por vetëm janë bërë publikë pikët totale të kandidatëve. BIRN do të kërkojë qasje në poentimin që është bërë nga secili anëtarë i komisionit vlerësues për secilin kandidat.

Në proceset e rekrutimit që asistohen nga ekspertët britanikë, Komisionit Vlerësues obligohet që t’i bëjë publikë pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e komisionit vlerësues obligohen me dhënë arsyetime për secilin poentim të bërë.

Kandidatët që e kanë kaluar testin me shkrim pritet të intervistohen nga komisioni vlerësues në përbërje të: Besnik Boletini, kryetar, Arta Berisha, nënkryetare, Safet Kabashi, Fatmire Lumi – Qehaja, Driton Hetemi, Albulena Mehmeti, Bekim Sele, Shukrije Rama dhe Ivan Raduloviq, të cilët janë duke e udhëhequr procesin e rekrutimit për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në fillim të muajit shkurt, bordi i RTK shpalli konkurs për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni.

Bordi i RTK-së kishte hapur konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas shkarkimit të Ngadhnjim Kastratit nga detyra.

vendimin e bordit thuhet se Kastrati është shkarkuar nga pozita pasi i njëjti ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN është duke e monitoruar procesin qysh prej shpalljes së konkursit.