Testimi i Urës së Ibrit, punëtorët e kompanisë dalin në terren

 

Ura mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve sipas paralajmërimeve të Qeverisë.

Qeveria të cilës i prinë Albin Kurti së fundmi dha një tender për testimin e urës për lëvizjen e mjeteve mbi të.

Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Madje, të martën më 06.08.2024 punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.

Ata nuk pranuan të deklarohen për KALLXO.com ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje nga kompania.

“Çka të intereson ty çka bëjnë punëtorët e mi, kjo është kompani private ty fare nuk të intereson, nuk të intereson. Janë dal me shëtitë bre… vete qeverinë, ti s’ki drejtë me më thirrë hiç” – kanë thënë nga kompania “IPE-PROING” përmes telefonit.

KALLXO.com ka kërkuar edhe një përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, zëdhënësi, Përparim Kryeziu nuk është përgjigjur.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë , me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.