Testimi i qarkores njëkahëshe krijon tollovi në trafikun e Prishtinës - VIDEO

Tollovi trafiku është krijuar sot në kryeqytet, si pasojë e testimit të tretë njëkahor për automjete në unazën qendrore.

Kolonat e gjata ishin më të theksuara në orët e mëngjesit.

Sipas Komunës së Prishtinës, testimi do të vazhdojë nga sot më datë 28 tetor, deri të dielën më 30 tetor 2022.

“Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: Rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës; Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia; Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE; Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore; Rruga “Ukshin Hoti”; Rruga “Robert Dolli” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, rrugët e poshtëcekura do të jenë të mbyllura për automjete, me përjashtim të transportit publik, i cili do të qarkullojë në këtë pjesë me shpejtësi minimale të lëvizjes: Rruga “George Bush” deri te semaforët pranë Katedrales, rruga “Garibardi” deri te semaforët pranë rrugës ”Dritan Hoxha”.

Kjo është hera e tretë që po testohet kjo ide e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Dy testimet e kaluara janë bërë në prill dhe në maj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se përmirësimi nuk ndodh brenda ditës.

“Nuk mundet që përmirësimi të ndodh për një ditës ose të shihet a është pozitive ose negative, për këtë arsye është e nevojshme që të merremi me këto planifikime. Ne siç e dimë kemi bërë edhe teste për me testu qendrën si pjese e planeve të mobilitetit ku e kemi bo testimin te shtunën të dielën, kemi bo faktikisht për dy javë, normal para se me marr vendimin duhet me bo testimin edhe gjatë javës, kjo na tregon pikat ku krijojnë problem” – tha ai.