Foto: REL/Reuters

Testi për coronavirus 200 euro, Autoriteti i Konkurrencës do të reagojë gjatë javës së ardhshme

Pas raportimeve të qytetarëve se në një laborator privat kanë paguar 200 euro për testin PCR për coronavirus, ka reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK).

Kryetari i Autoritetit, Valon Prestreshi, ka thënë se institucioni që e drejton po monitoron me kujdes procesin dhe posedon listën e çmimeve të secilit laborator të licencuar.

Sipas Prestreshit, nëse del që laboratori në fjalë ku testi është paguar 200 euro ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, atëherë ai ka kryer veprën penale të mashtrimit.

E nëse laboratori ka vënë AKK-në në lajthitje dhe ka ofruar informacione të pasakta, personi përgjegjës dënohet 1000-3000 euro dhe ndërmarrja dënohet deri ne 2% të qarkullimit vjetor.

Prestreshi ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës në javën në vijim, mund ta përdor instrumentin ligjor, masat e përkohshme- mbyllje të veprimatarisë deri në 6 muaj.

Ky është postimi i plotë i kryetarit të AKK-së:

“Të nderuar qytetarë,

Kam pranuar dhjetra ankesa nga ju, se njëra nga laboratorët e licensuar ka kryer shërbimin e PCR për Sarc Cov 2 në vlerë prej 200 euro.

Siç jeni të gjithë të njoftuar, AKK është duke e monitoruar këtë proces me kujdes, dhe posedon listen e çmimeve te secilit laborator te licensuar.

Siç jeni të gjithe të njoftuar, AKK këtë shërbim e ka cilësuar si aktivitet ekonomik të interesit publik e rrjedhimisht interesit shteteror.

Tani, nëse laboratori në te cilin ju jeni ankuar ka vendosur çmim në vlerë prej 200 euro për test PCR dhe e ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë këto shkelje:

  1. Mashtrim – vepër penale
  2. Autoriteti mund të ushtroj kallxim penal ne prokurorinë speciale nëse është konsumuar vepra penale Mashtrim.
  3. Ka vendosur AKK në lajthitje dhe ka ofruar informacione të pa sakta – personi përgjegjës denohet 1000-3000 euro, dhe ndërmarrja denohet deri ne 2% të qarkullimit vjetor.
  4. Ka kryer shpërdorim të pozitës dominuese, mund të denohet deri në 10% të qarkullimit vjetor.
  5. Autoriteti në javen ne vijim, mund ta përdor instrumentin ligjor, masat e përkohshme- mbyllje të veprimatarisë deri ne 6 muaj.

Qytetarë të dashur AKK është në shërbimin tuaj!