Foto: Arkiv

Testi i Arritshmërisë, përjashtohen disa nxënës nga testi për shkak të kopjimit

Disa nxënës që sot iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, janë përjashtuar nga ky proces, për shkak se kanë tentuar të kopjojnë, duke shfrytëzuar telefonat celular. Megjithatë, ky ekces, nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e testit, thonë përgjegjësit institucional.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, tha se nxënësit që janë zënë duke kopjuar, janë larguar, porse nuk ka saktësuar se sa ka qenë numri i tyre dhe cila do jetë masa proceduese ndaj tyre.

“Vetëm disa nxënës kanë kopjuar me telefon dhe ata u janë konfiskuar, por nuk dihet ende saktë sa nxënës”, tha Elezi për KALLXO.com, duke shtuar se gjithçka tjetër ka vijuar në rregull.

Këtij testi, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), sot i janë nënshtruar rreth 26 mijë nxënës të klasave të nënta. Ai është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin.

Sipas ministrisë, në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2,200 administrues e që testimi ka filluar në orën 10:00 në të gjitha qendrat ku është mbajtur ai.

“Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit. Organizimi i testit është realizuar sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga MASHTI.

Testimi i nxënësve të klasave të nënta ka për qëllim që të bëj orientimin e nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 7 qershor.