Testi D-dimer shumë shpejt në qendrat e mjekësisë në Prishtinë

Shfaqja e virusit COVID-19 ka bërë që kërkesa për lloje të ndryshme të analizave të shënojnë rritje.

Ndër to është edhe analiza D-dimer, që na jep mundësinë të dimë gjendjen me qarkullim të gjakut ( në rast se gjaku ka pësuar trashje).

Këto lloj analizash janë të kushtueshme, por duke marr parasysh që një ndër efektet anësore që lë COVID-19 është edhe ky problem me gjak, kërkesa është vazhdimisht aktuale.

Në fund të muajit nëntor Komuna e Prishtinës shpalli tender për furnizim emergjent me reagenca për D-dimer.

Furnizimi më këto teste është ende në procedurë të prokurimit.

Afati për dorëzim nga ana e operatorëve ekonomik është mbyllur më 11 dhjetor, kurse pritet që brenda këtij muaji të bëhet nënshkrimi i saj dhe të procedohet tutje me furnizim.

Për këto teste komuna ka ndarë 115 mijë euro, kurse pritet të marr furnizim për 3-4 muaj.

Komuna e Prishtinës është ndër të parat që ka filluar të kryejë kontrolle të ndryshme falas për qytetarët sa i përket pandemisë, këtu bëjnë pjesë edhe testet serologjike.

Testimet serologjike Prishtina po i kryen në tre qendra të mjekësisë: Në ‘Dardani’, ‘Kodër të Trimave’ dhe tek ‘mensa e studentëve’.

Investimi në këtë test deri tani Prishtinës i ka kushtuar mbi 400 mijë euro, kurse ka testuar rreth 12 mijë qytetarë.

Ndërsa, këtë muaj Prishtina ka filluar edhe rimbursimin e qytetarëve të prekur me COVID-19 prej 50 eurove, kurse për pensionistë 100 euro.

Kjo ndihmë sipas Komunës do vazhdojë për sa kohë do ketë raste me COVID-19.