Teste për coronavirus e paisje të tjera do blihen me 5 milionë euro të BE-së

Sot është nënshkruar kontrata në vlerë prej 5 milionë euro ndihma të menjëhershme nga Bashkimi Evropian për Kosovën për luftën drejt parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19.

Pajisjet përfshijnë 30 respiratorë/ventilatorë, 74 pompa infuzioni dhe 75 pompa infuzioni shiringë, 5 auto-ambulanca, 350 oksimetër pulsi në gisht dhe 200 oksimetër pulsi, 70 monitorues të pacientëve, 5 defibrilatorë, 20 elektrokardiografë dhe 400 shtretër.

Në komunikatë thuhet se në rast se disa nga artikujt e mësipërme nuk mund të sigurohen, do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë 25 mijë teste, 5 auto-ambulanca, 650 mijë maska respiratore, 130 mijë maska të fytyrës, 70 mijë dorëza, 140 mijë litra dezinfektues, 100 mijë çarçafë, mbi 100 mijë barna të ndryshme, 3 mijë gypa për fëmijë dhe të rritur, dhe gjëra të tjera të nevojshme.

Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) me financim të BE.

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Brendan Keirnan, Shef i Zyres në Prishtinë, UNOPS, Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, Arben Vitia, Ministër në detyrë i Shëndetësisë i Kosovës kanë nënshkruar kontratën.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka paralajmëruar se BE ka ndarë 68 milionë euro për Kosovën.

Sipas publikimit në Facebook, 5 milionë euro do të ndahen për nevoja të menjëhershme, 50 milionë euro për sektorin socio-ekonomik për të luftuar ndikimin që COVID-19 po i shkakton këtij sektori.

Po ashtu BE ka dhënë edhe 13 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Në Kosovë deri më tani janë identifikuar 94 të prekur me coronavirus, një persona ka vdekur nga ky virus dhe një është shëruar.