Adelina Tërshani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Tërshani: Ka raste kur zyrtarët policorë e kanë keqpërdorur numrin e telefonit të viktimës

Adelina Tërshani, përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha gjatë emisionit “Kallxo Përnime” se ka raste kur zyrtarët policorë kanë keqpërdorur numrin e telefonit të viktimave të cilat kanë shkuar në Polici për të raportuar.

“Ka raste kur është keqpërdorur numri i telefonit të grave nga Policia e Kosovës. Madje ka raste të tilla kur është keqpërdorur numri i telefonit pikërisht të viktimës që ka shku me raportu ngacmimin seksual”, tha ajo.

Tërshani vlerëson se trajtimi nga organet e drejtësisë i veprave të ngacmimit dhe sulmit seksual nuk bëhët me seriozitet.

“Mund të konstatoj që organet e drejtësisë pikërisht rastet e ngacmimit seksual i trajtojnë me zero seriozitet. Trajtimi është i dobët, shumë policë nuk dinë me i bo dallimet e veprave, kultura e fajësimit të viktimës është e shprehur në Kosovë mendojnë që nuk është diçka e madhe që ka përjetu ngacmim seksual nga shefi”, tha ajo.

Në pjesën e parë të emisionit u trajtua hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime”, i cili tregon për dyshimet se një polic nga Lipjani ishte arrestuar dy herë për të njëjtën vepër penale – ngacmimin e një gruaje nga Shqipëria, e punësuar në Kosovë.