Territori i Komunës së Vitisë në karantinë - Kryetari Haliti nuk pajtohet me nivelin qendror

Pas konfirmimit të infektimit të dy qytetarëve nga Vitia me virusin COVID-19, qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur mbrëmë që territori i Komunës së Vitisë të futet në karantinë duke mos lejuar hyrjet dhe daljet nga kjo komunë.

Në takimin që është mbajtur sot nga Komuna e Vitisë u potencua se dje është bërë dezinfektimi i institucioneve shëndetësore dhe se ky dezinfektim do të vazhdon edhe sot me prioritet të veçantë në fshatin Stubëll, ku pritet të bëhet dezinfektimi i shkollës, kishës, shtëpisë së personit të infektuar, por edhe në vendet publike.

Konfirmimi për coronavirus, familje në Klinë vendosen në karantinë

Megjithatë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka kërkuar nga niveli qendror që sa më parë të i dal në ndihmë kësaj komune me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit.

“Vitia nuk mund të ia dal e vetme në këtë situatë. Ne paraprakisht kemi marrë masa në fshatin Stubëll, pasi që i infektuari me këtë virus është nga Stublla por që ka ardhur në këtë fshat prej Italisë. Na duhet sa më parë ndihma nga niveli qendror që ka vendosur që gjithë territori i komunës së Vitisë të futet në karantinë. Sidomos kemi nevojë që niveli qendror të furnizon me mjete mbrojtëse personat që janë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate dhe atë me maska, dezinfektues, dorëza dhe të tjera”, ka thënë Kryetari Haliti.

Kryetari Haliti kërkoi nga niveli qendror që të gjej mundësitë të mbështetjes me staf mjekësor pasi që një pjesë e madhe e stafit mjekësor të Vitisë është në karantinë pasi që kanë kontrolluar personin që tashme ka dalur i infektuar me këtë virus.

“Futja në karantinë e krejt komunës është e gabuar dhe është dashur të izolohet vetëm vatra e krizës ku kemi pasur të infektuar me këtë virus. Fatkeqësisht ka munguar komunikimi nga niveli qendror me komunën e Vitisë”, ka theksuar kryetari Haliti.

Konfirmohet rasti i tretë me coronavirus në Kosovë