Krenar Xhaferi, autori i librit “Terr e dritë-rrëfime të viteve të ‘90-ta"
'Terr e dritë - Rrëfime të viteve të '90', promovohet libri i autorit Krenar Xhaferi në 'Reporting House'
Në ‘Reporting House’ u promovua libri “Terr e dritë-rrëfime të viteve të ‘90-ta”, i autorit Krenar Xhaferi. Ky libër që u promovua në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut përfshinë rrëfime të shumta të personazheve të ndryshme për vështirësitë që kaluan në vitet 90-ta, deri tek bombardimi i NATO-s.
Fehmi Rexhepi, recensent i këtij libri tha se kapitujt e këtij libri përmbajnë histori prekëse e detaje që gjeneratat e reja të kenë ku t’i lexojnë.
“Terr e dritë përmban dedikimin, 6 kapituj dhe biografinë e autorit. Kreu i parë ‘të 90-tat e Krenarit”, paraqet ato që ka përjetuar si adoleshent, “Kujetsa nga Burgu” është vetëm një nga shumë rrëfime të asaj periudhe të paraqitur nga Reshat Maliqi”- tha ai.
Në gjashtë kapitujt e këtij libri, autori Krenar Xhaferi ndan edhe një rrëfim personal nga kujtimet që kishte si fëmijë gjatë dëbimit nga Prishtina.
Në kaputullin e parë Xhaferi flet për kujtimet e tij si adoleshent pas dëbimit nga Prishtina, jep detaje se si ai kujtonte policët e parailitarët, vjedhjet, dëbimin e dhunën që familja e tij dhe qyteti përjetuan gjatë dëbimit.
“Kosova ishte në flakë, NATO-ja bombardonte gjithandej nga lart, qielli ishte i tyre, në tokë, në dorën e kasapëve kishim mbetur ne civilët e paarmatosur. Rrugët ishin të mbushura me ushtarë, policë e paramilitarë serbë të dehur e droguar, me fytyra të ngjyrosura, kallashnikovë e hangjarë. Kërcënonin e këndonin rrugëve të boshatisura të Prishtinës.… ishin të pamëshirshëm, ishin të pakonceptueshë për trurin njerëzor, bisha gjakpirëse të maskuara me dukje njeriu” – thuhet aty.
Gazetari Ermal Panduri i cili edhe ndau detaje nga disa kapituj të këtij libri u shpreh se “në këtë libër ka histori të personave të cilët janë në mesin tonë, por nuk ua kemi ditur historinë”.
Kapitulli i dytë titullohet “Mbijetesa”, paraqitje e popullit pas shuarjes së autonomisë së Kosovë, por edhe dhuna nga pushteti, përfshirë këtu rrëfimin e shkrimtarit Zejnullah Halili, përmes kujtimeve të vajzës së tij, i cili ishte detyruar t’i shes librat që kishte në shtëpi për të siguruar bukën e gojës.
“Në libër paraqiten kujtimet e vajzës së tij, Shqipes, që si 19 vjeçe në atë kohë, bashkë me babin e nënën, dilnin me makinë nëpër zona të ndryshme të shisnin librat që kishin në shtëpi në mënyrë që të mbijetonin”
Në kapitullin e tretë flitet për luftën e UÇK-së, familjes Jashari dhe qëndresën heroike të tyre, në kapitullin e katërt për “Konferencën e Rambujesë” që i priu bombardimeve.
Në kapitullin e pestë flitet për bombardimet e NATO-s. Aty paraqiten masakrat, terrori ndaj popullësinë civile në Prishtinë dhe më gjerë, por edhe rrugëtimin deri në Maqedoni të Veriut, përmes rrëfimit të gazetarit Elhami Ismajli “1,000 marka gjermane vlente jeta”.
Kapitulli i fundit apo kapitulli i gjashtë, i titulluar “Lufta në nurma”, ka të dhëna për të vrarët, të zhdukurit, të dhunuarit e shkatërrimet.
Krenar Xhaferi falënderoi të gjithë ata që kontribuan për botim të këtij libri.
“Libri nuk do e kishte madhështinë e vet nëse nuk do ishin rrëfimet nga persona që kaluan dhe përjetuan atë periudhë” – tha ai.
Me rastin e 25-vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, më 10.06.2024, u hap ekspozita “Reporting House” në Prishtinë. Ekspozita u prodhua nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Prishtina Biennale dhe Paper Gallery, me producente gazetaren e mirënjohur kosovare, drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), Jeta Xharra dhe kurator bashkëthemeluesin e Prishtina Biennale dhe të Paper Gallery, Gaz Ejupi.
Kjo ekspozitë shfaq nga njëra anë raportime gazetareske, fotografi mediatike, video dhe artefakte kryesisht të luftës dhe rezistencës së Kosovës, si dhe nga ana tjetër paraqet vepra bashkëkohore të artistëve kosovarë dhe ndërkombëtarë që eksplorojnë dhe reflektojnë mbi luftën në Kosovë dhe ndikimin e saj.