Tërnava thirrje qytetarëve për kujdes dhe respektim të masave anti-COVID gjatë festës së Bajramit

Kryetari i Bashkësie Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Përveç urimeve dhe lutjeve, Tërnava ka kërkuar kujdes të shtuar për mbrojtje nga COVID-19 dhe zbatimin e rekomandimeve të IKShPK-së.

“Ne, nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë për ta falur namazin e Fitër-Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë, andaj për ta ruajtur vetën e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-covid dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër-Bajramit. Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit, do ta ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, ka thënë përveç tjerash Myftiu Tërnava në urimin e tij për Fitër Bajramin.