Falja e namazit te Xhumase ne Xhamine e Madhe ne Prishtine, ne foto Naim Ternava dhe ish kryeministri i Turqise Ahmet Davutoglu

Tërnava: Me Pavarësinë e Kosovës u Vu në Vend e Drejta e Mohuar

Ish kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu, po merr pjesë në faljen e namazit të xhumasë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava,  në fjalën e tij para fillimit të falës së namazit, tha se me pavarësinë është vënë në vend një e drejtë e cila u ishte mohuar prej shekujsh popullit  të Kosovës.

“Jemi në vigjilje të ditës dhe datës më të rëndësishme të historisë moderne të kombit tonë, dita kur mbushet një dekadë nga shpallja pavarësisë së Kosovës.  Këtu e dhjet vjet më parë më 17 shkurt të vitit 2008-të, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shpallën Kosovën shtet të pavarur të lirë e sovran. Pavarësia dhe shtetësia e Kosovës ishte një proces shumë i gjatë dhe i vonuar ,por që më në fund fatmirësisht u realizua dhe u përmbush. Dhe kështu u vu në vend një e drejtë e mohuar pothuajse shekullore”, ka thënë kryemyftiu Naim Tërnava.

Ai tha se populli i Kosovës që herët është angazhuar për liri dhe pavarësi dhe se gjatë këtij rrugëtimi shumë breza e gjenerata janë përballur me sakrifica, beteja e kryengritje, e luftëra të shumta vetëm e për të qenë të lirë dhe sovran në vendin tij.

“Populli ynë asnjëherë nuk qe pajtuar të mbetej rob dhe i sunduar në vendin e vet. Ne si popull njihemi për partneritet e miqësi të mirë me të tjerët, njihemi po ashtu edhe për nderin, respektin, bujarinë, fisnikërinë, mirëkuptimin, tolerancën e bashkëjetesën me të tjerët, por, asnjëherë nuk jemi pajtuar me nënshtrimin përbuzjen përdhosjen e nënçmimin e nga të tjerët , kushdo qofshin ata. Pavarësisht rrethanave me të cilët jemi gjendur me të cilat na ka përballur historia dhe pavarësisht çmimit që kemi paguar”, ka thënë Tërnava në fjalën  e tij para qytetarëve që ishin prezent në faljen e namazit të xhumasë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.