Termokosi nënshkruan kontratën për vendosjen e matësve, më nuk do të paguhet ngrohja me metra katrorë

Ngrohtorja e Prishtinës “Termokos” ka bërë të ditur se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përkatësisht Fondacioni i Mileniumit në Kosovë (MFK) ka nënshkruar kontratën me konzorciumin e kompanive “Enerco LLC & HFC Grupa & Inter Adria”, që do të bëjnë vendosjen e matësve të nxehtësisë dhe valvulave termodinamike tek konsumatorët e kësaj ndërmarrje.

Në njoftimin e kësaj ndërmarrje potencohet se fillimisht kompanitë punëkryese do të bëjnë disa hulumtime vlerësuese të instalimeve të ngrohjes tek konsumatorët, që do t’i paraprijë fillimit të punimeve në teren për vendosjen e matësve digjitalë si dhe valvulave termodinamike tek konsumatorët e NP “Termokos”.

Nga Termokos theksojnë se vendosja e matësve do të ndryshojë metodën e deritanishme të faturimit nga faturimi i bazuar në sipërfaqen ngrohëse do të mundësohet kalimi në faturimin sipas konsumit të energjisë ngrohëse të secilit konsumator.

Kjo metodë, sipas ndërmarrjes, do të jetë shumë e levërdisshme ekonomikisht për konsumatorët, pasi që do të kenë mundësi, që nëpërmes kursimit të energjisë termike të kursejnë edhe buxehtin e tyre familjar.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për planin e ndërmarrjes që faturimi i ngrohjes të bëhet në bazë të shpenzimit e jo metrave katrorë të apartamentit.

Qytetarët e Prishtinës më nuk do ta paguajnë ngrohjen me metra katrorë, por aq sa e shfrytëzojnë