
Termokos nis zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për lagjen në afërsi të Parkut të Qytetit
Ngrohtorja “Termokos” njofton se kanë filluar punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për lagjen në afërsi të Parkut të Qytetit në Prishtinë.
Në njoftim bëhet e ditur se në kuadër të këtij projekti do të kyçen në rrjetin e ngrohjes 62 objekte me 767 njësi banesore.
“Në kuadër të këtij projekti do të përfitojnë shumë qytetarë të kësaj lagjeje, ku do të kyçen në rrjetin e ngrohjes 62 objekte me 767 njësi banesore me 106.145 m/2 sipërfaqe. Projekti është bashkëfinancuar nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Dukata e Madhe e Luksemburgut nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe nga NP ‘Termokos’”- thuhet në njoftim.
Sipas planit dinamik, Termokos thotë se shtrirja e rrjetit të gypave të ngrohjes për këtë lagje planifikohet të zgjasë disa muaj.
Më tej, Termokos kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat eventuale, që do të paraqiten gjatë realizimit të punimeve.