Termokos nis punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka filluar punimet për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë.

Në këtë fazë do të përfitojnë shumë institucione qeveritare, objekte shkollore dhe banesore.  Në rrjetin e ngrohjes për herë të parë do të kyçen edhe banorët e Lagjes  “Kalabria” dhe një pjesë e Lagjes “Mati 1”.

Disa pjesë të kryeqytetit dhe ndërtesa të institucioneve publike pritet të përfitojnë nga punimet që janë duke u realizuar nga Kompania publike  “Termokos”. Zëdhënësja e “ Termokosit”, Aferdita Uka, tha për Radio Kosovën se punimet në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes po zhvillohen me intensitet të lartë.

“Puna për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes kanë filluar nga fundi i majit të këtij viti ndërsa janë duke vazhduar këtyre ditëve me një intensitet të lartë. Një pjesë mjaft e madhe e objekteve banesore në Lagjen “ Kalabria” gati se janë në  përfundim për t’u lidhur në rrjetin e  ngrohjes e qytetit. Kanë mbetur edhe disa punë të vogla për t’u përfunduar”, ka thënë Uka.

Uka po ashtu theksoi se nga këto punime do të përfitojnë disa lagje në kryeqytet si dhe një numër  institucionesh si: Teatri Kombëtar, Filarmonia e Kosovës, Doganat, Policia dhe disa institucione të tjera edukative dhe qeverisëse.

“Për herë të parë këtë vit rrjeti i ngrohjes do të zgjerohet në Lagjen “ Kalabria”, përafërsisht te banesat e Arabeve dhe te disa objekte për rreth tyre. Po ashtu për herë të parë zgjerimi i rrjetit të ngrohjes do të bëhet në Lagjen “ Mati 1” për rreth Rrugës B. Po ashtu nga ky projekt me Komisionin Evropian do të përfitojnë edhe disa institucione qeveritare si: Kopshti i fëmijëve “ Buzëqeshja” dhe “ Xixëllonjat”, Teatri Kombëtar, Filarmonia e Kosovës, Ministria e Kulturës, Shkolla “ Naim Frashëri”,  Stacioni Policor në Lagjen e Muhaxhirëve, Fakulteti i Arteve, ndërtesa e EULEX, dhe Doganat e Kosovës”, ka shtuar Uka.

Afati për përfundimin e këtyre punimeve është tetëmbëdhjetë muaj. Ku një pjese e tyre do të përfundojnë në ketë sezon, kurse pjesa tjetër pritet të përfundojë para sezonit të ardhshëm dimëror.

Vlera e investimeve në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes dhe 50 nënstacioneve termike kap vlerën e rreth 5 milionë eurove, të cilat janë siguruar nga fondet e përbashkëta të Komisionit Evropian.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!