Melihate Tërmkolli - Foto: Rtv21

Tërmkolli: Vjosa Osmani punoi për shkatërrimin e LDK-së

Ish deputetja dhe një prej zyrtareve më të vjetra të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka akuzuar Vjosa Osmanin se ka punuar për shkatërrimin e LDK-së nga pozicioni i Lëvizjes Vetëvendosje.

Tërmkolli ka thënë se Osmani e ka prekur substancën e LDK-së, dhe sipas saj, krijimi i një mendësie që Albin Kurti është njëjtë sikurse Ibrahim Rugova është katastrofale.

Ajo thotë se protagoniste e një fryme të tillë, ishte Vjosa Osmani.

“Vjosa ka punuar në shkatërrimin e LDK-së nga pozicioni i VV-së, prandaj e thash që ka prekur në substancë. Anëtari i LDK-së, kur ia krijuam ne atë frymë që është njëjtë si me e votu LDK-në si VV-në, sepse Vjosa ishte protagoniste kryesore që solli një mendësi në LDK, kjo është totalisht e papranueshme”, ka thënë Tërmkolli në Click të RTV 21.

Tërmkolli thotë se nuk do t’i thoshte këto fjalë nëse Vjosa Osmani do të krijonte një parti në vete.

“Po ta bënte Vjosa një parti në vete, nuk do t’i thosha këto. Sepse do të thosha se ka pasur mospajtime. Por me ta krijuar mendësinë që është krejt njëjtë Rugova me Albin Kurtin kjo është totalisht e papranueshme”, ka shtuar Tërmkolli.