Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Terminalet e kontrolluara nga biznesmenët, Albin Kurti planifikon hapjen e Terminaleve Doganore shtetërore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar objektin e vjetër të Aeroportit të Prishtinës. Nga atje, ai dha lajmin se Qeveria dhe ministritë vartëse kanë nisur përgatitjen për hapjen e një Terminali Doganor shtetërorë.

Përveç këtij në regjionin e Prishtinës, Kurti tha se Terminale Doganore do të hapën edhe në Mitrovicë e në Vërmicë.

“Sivjet bëhen 7 vjet që këto hapësira nuk shfrytëzohen dhe është një objekt tejet i përshtatshëm për terminal doganor për regjionin e Prishtinës në mënyrë që doganieret e regjionit të Prishtinës të vijnë këtu dhe terminali doganor, sic është normale të jetë jo vetëm në shtet por edhe i shtetit”, tha Albin Kurti para gazetarëve të mërkurën.

“Janë diku 155 mijë kamionë që hyjnë në Kosovë për cdo vit për shkak se ne kemi deficid tregtar dhe këta kamion kanë kosto të madhe sepse shkojnë nëpër terminale doganore në pronësi private. Këto terminale private përveç që kanë tarifa të larta për kamionët gjithashtu edhe e privojnë shtetin nga një shumë e të hyrave”, deklaroi Kurti.

“Siç kam kuptuar 37 milionë euro i kanë të hyrat 10 terminalet doganore në pronësi private. Le të ia fillojmë me këtë terminal doganor këtu në Prishtinë që gjeografikisht është në mes të Kosovës pastaj të vazhdojmë në Mitrovicë e në Vërmicë. Ne si Qeveri shprehim interesimin që në një kohë sa më të shkurtuar që ta funkisonalizojmë këtë ndërtesë që ka edhe energji elektrike e ku funksionojnë si terminal doganor të shtetit tonë”, deklaroi Albin Kurti.

Në Kosovë janë 10 Terminale Doganore private, ndërsa disa prej tyre janë në pronësi të familjes Devolli nga Peja, një familje që ka në pronësi po ashtu në disa biznese të tjera.

Përveç Devollëve, një Terminal Doganor është në pronësi edhe të familjes e ish-deputetes së PDK-së, Margarita Kadriu.