Termi "Qeveria Koti" shkakton debat "koti" në Kuvend
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi në seancën e Kuvendit të Kosovës kur po diskutohej për marrëveshjet ndërkombëtare e ka quajtur “qeveri Koti” qeverinë e Avdullah Hotit.
“Lëvizja Vetëvendosje mund t’i votojë të gjitha këto marrëveshje, por është një pengesë e patejkalueshme që quhet qeveria Koti, nëse me të vërtet e keni interesin për mi kalu këto marrëveshje le të del sot i ashtuquajturi kryeministri Hoti le të thotë se jep dorëheqje dhe të thotë për t’i votuar, sot e keni votën e LVV-së”, tha ai.
Arben Gashi, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, kërkoi nga drejtuesja e seancës, Arbërie Nagavci që përmes një mocioni procedural të largohet nga seanca deputeti Abrashi.
“E nderuara kryesues e seancës kërkoj nga ju që të respektoni rregulloren, gjuha jo parlamentare që u përdor nga parafolësi është gjuhe e dënueshme, kërkoj që ti kërkoni deputetit Abrashi që ta tërheq fjalën e vet, ose përndryshe të përjashtohet nga seanca sepse ka përdoru gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj kryeministrit duke e quajtur ‘kryeministër koti’ me emër dhe mbiemër të pasaktë, kjo fjalë duhet të tërhiqet dhe të kërkoj falje”, tha Gashi.
Në anën tjetër deputeti Artan Abrashi tha që askush nuk mund të ia mbyllë gojën, sepse është deputet i LVV-së e jo LDK-së.
“Unë nuk jam deputet i LDK-së që ti sot mem qit prej sallës e me ma mbyllë gojën dhe me ma uru diktatin e byrosë politike antidemokratike të LDK-së, unë jam deputet i LVV-së, këtë mos e harro” , tha Abrashi.
Abrashin e përkrahu shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi i cili tha që fjala ‘koti’ nuk është gjuhë joparlamentare.
“Në radhë të parë fjala ‘koti’ nuk është gjuhë joparlamntare, dhe deputeti Abrashi ka fol shumë mirë, unë e inkurajoj me vazhdu dhe në radhë të tretë, edhe unë mendoj që qeveria aktuale është koti. Harrojeni që mund ta përjashtoni dikë nga salla”, tha ai.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani kërkoi nga Komisioni për Legjislacion të konstatoj nëse fjala koti është gjuhë jo parlamentare.
“Unë do të kërkoj nga komisioni për legjislacion që të konstatoj nëse fjala koti është shkelje apo gjuhë jo parlamentare. Në momentin që ai komision e konstaton një gjë të tillë atë herë unë do të kem mundësinë që tua kërkoj deputetëve të mos e përdorin”, tha Osmani.
“Në të njëjtën kohë do të kërkoj se kishte më shumë se 20 dëshmitar se bërtitma juaj në raport me mua kur më thatë a je normal ta konstatojnë se a është shkelje a jo. E lexuat korrekt kur thatë se duhet të respektohet autoriteti i kryetares”, theksoi ajo.
Kuvendi është duke i vazhduar punimet për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar si dhe disa projektligje të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes deputetit Memli Krasniqi ka thënë se sdo ti votoj asnjë nga pikat e rendit të ditës, pasi që sipas tyre as LDK-ja sa ishte në opozitë nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Përveç kësaj janë edhe disa pika të tjera si:
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeo hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Mungesa e kuorumit pamundëson shqyrtimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare