Termi për të pagjeturit, Bislimi i thotë opozitës se po i referohen me deklarime të Petkoviqit

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi gjatë raportimit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Komisionin për Punë të jashtme ka kërkuar sqarim nëse Kosova ka larguar fjalinë ‘të zhdukur me dhunë’ në vetëm ‘të zhdukur’ nga marrëveshja.

Musliu – Shoshi tha se disa media kanë raportuar për këtë gjë, përfshirë deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti.

“Nëpër media ka shumë artikuj se termi ‘persona të zhdukur me dhunë’ është hequr dhe tani është vetëm ‘persona të zhdukur”-pyeti Musliu.

Lidhur me këtë Bislimi tha se për këtë pikë është larguar një gjysmë fjalie me kërkesë të Kosovës, derisa akuzoi deputeten se po i referohet komisionit me deklarime të  drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Në propozimin e fundit për dokumentin lidhur me personat e zhdukur me dhunë, është larguar vetëm një gjysmë fjalie me kërkesë të palës kosovare, nuk ka pas ndërhyrje ng pala serbe. Nëse është hequr termi persona të zhdukur me dhunë atëherë del që ka qenë kërkesë e palës kosovare- është e palogjikshme që të vini  këtu me pyetje duke u referuar në deklarime të Petkoviqit. As Serbia nuk i beson Petkoviqit sa i besoni ju”- është shprehur Bislimi.

Sipas tij, fjalia nuk është hequr, duke mos dhënë detaje se cili është versoni final i kësaj fjalie.

Bislimi ka thënë se dokumenti do të publikohet pas nënshkrimit nga liderët e dy vendeve.

Ndërkaq, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë termi në anglisht ‘Forcibly disappeared’ apo persona të zhdukur me dhunë, është termi i cili ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes së dakorduar.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘Forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë, kështu është termi që është dakorduar, pra edhe atëherë kur do të thuhet persona të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë. “Forcibly disappeared”, është shprehja në anglisht që është dakorduar në Bruksel”- ka thënë Kurti.

Kurti flet për terminologjinë për të pagjeturit për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia