Tërmeti në Shqipëri – tri pyetje

Tërmeti i nëntorit 2019 në Shqipëri e tregoi gjithë brishtësinë e qenies njerëzore ndaj fuqisë së pamëshirshme të natyrës.

Një tërmet prej 6,4 shkallë Rihter e shkaktoi një kataklizmë të vërtetë ku, fatkeqësisht, kemi shumë humbje të njerëzve, shumë të lënduar dhe shumë objekte të dëmtuara. Dëmet janë ende duke u numëruar.

Tërmeti në afërsi të Durrësit i ka hapur tri pyetje.

Kualiteti i ndërtimeve

Një tërmet prej 6,4 shkallës Rihter me epiqendër rreth 20 km larg vendbanimeve në kushte të ndërtimeve me standarde shkakton qarje të objekteve, thyerje të xhamave, plasaritje të cilat mund të shkaktojnë lëndime trupore por jo edhe viktima.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se disa objekte kanë kolapsuar (janë shkatërruar plotësisht) me viktima në njerëz përderisa objektet në afërsi kanë kaluar vetëm me dëmtime të lehta.

Kjo situatë e kërkon një hulumtim të mirëfilltë inxhinierik edhe pse është evidente se objektet e kolapsuara nuk përmbushin as kriteret minimale teknike.

Vetëm në njërin nga objektet e kolapsuara gjashtë katesh vërehet se në shtylla janë vendos vetëm katër fije armaturë me diametër 12 milimetër. Kjo është absolutisht e papranuar.

Siç tha një arkitekt i Shqipërisë “fajet i ka koka e jo toka”.

Tema e kualitetit të ndërtimeve duhet të hapet si kurrë më parë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Sapo të kalojë faza emergjente, duhet krijuar ekipe profesionale për ti analizuar objektet e dëmtuara.

Pas tërmetit katastrofik të ndodhur në Turqi më 1999 kanë ndërruar disa norma të ndërtimit sidomos në mënyrën e përdorimit të armaturës.

Tërmeti i Shqipërisë është i dyti në botë me më së shumti viktima për vitin 2019, e nuk futet as në 10 tërmetet më të fuqishëm për këtë vit.

Edhe ky është një fakt se objektet e kolapsuara janë nën normat të ndërtimit.

 Sistemi i emergjencës

Sistemi i emergjencave në Shqipëri ka pësuar kolaps njëjtë si banesat e ndërtuara pa norma. Koha e reagimit ka qenë me disa orë vonesë, kanë munguar mekanizimi adekuat, pajisjet teknike dhe teknologjike, qenët e trajnuar, skanerët, por edhe njerëz profesionistë për këto situata.

U dashtë të pritej që të vijnë pajisjet dhe profesionistët nga shtete tjera e që duket të ketë qenë vonë për të shpëtuar më shumë njerëz.

Ekspertët e huaj gjënë e parë që e kanë kërkuar nga institucionet ka qenë projektet e ndërtesave për të ditur se ku gjenden dhomat e sidomos ato të gjumit me çka do të ndihmohej gjetja më e lehtë e personave të zënë nga rrënojat. Këto projekte nuk kanë qenë në dispozicion!

Pasi që të kalojë kjo situatë emergjente, duhet që të bëhet një analizë e mirëfilltë e të gjitha lëshimeve.

Për më tepër duhet të analizohet legjislatura e cila do të duhej të rregullonte çështjet e emergjencave.

Fatmirësisht në Kosovë nuk kemi pas ndonjë fatkeqësi natyrore të këtyre përmasave por nuk guxojmë që të presim që të na ndodh për të parë se si po reagojmë si shtet. Kurr nuk dihet se kur do të jetë testi i radhës. Nuk guxojmë të jemi shoqëri post-krize.

Po ashtu koordinimi i ndihmave ka lënë shumë për të dëshiruar. Vet ministri të punëve të brendshme të Shqipërisë e pranoi se ekziston një lëmsh i vërtetë ku vijnë ndihma për të cilat nuk ka nevojë.

Kur jemi te donacionet financiare, kjo është pika më e ndjeshme. Ne Shqiptarët e kemi treguar veten se jemi shumë solidar e sidomos në kohë krizash. Ajo çka bjer në sy është se duket që edhe në këtë drejtim nuk ka fare koordinim.

Me qindra njerëz të vullnetit të mirë kanë zotuar të holla për të ndihmuar dhe me dhjetëra xhirollogari janë hapur.

Krejt çka duhet thënë në këtë drejtim është që dashtë zoti që gjithë këto para të mos keqpërdoren në këto ditë të rënda! Portali “Kallxo” është duke e luajtur një rol të rëndësishëm në koordinim të ndihmave.

Sigurimi i banimit

Tërmeti përpos që mori shumë jetë, la prapa edhe shumë dëme materiale. Sipas disa incizimeve preliminare, vetëm në Durrës e Tiranë janë evidentuar rreth 1,000 shtëpi dhe rreth 200 pallate të pabanueshme.

Me një kalkulim të thjeshtë i bie që mbi 10,000 banorë për momentin janë në nevojë për banim. Procesi i rindërtimit të shtëpive/banesave të tyre mund të zgjas me vite dhe këta njerëz kanë nevojë për strehim të përkohshëm.

Një skemë e qëndrueshme është banimi social. Kjo është një temë të cilën personalisht e trajtoj për shumë vjet.

Fatkeqësisht banimi social ka telashe të mëdha të funksionimit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në Shqipëri është tentuar që të punohet në drejtim të ofrimit të banimit me kosto të përballueshëm por pa sukses të duhur.

Në Kosovë pothuaj secila komunë posedon ndërtesa të veçanta sociale të cilat mund të shfrytëzohen për familje pa kulm mbi kokë, përfshirë viktimat e tërmetit.

Fatkeqësisht shumica e komunave i kanë jashtë kontrollit këto ndërtesa sociale sepse një numër i madh i familjeve janë vendosur pa kritere.

Shumica e komunave nuk po arrijnë të e kryejnë procesin e verifikimit ku familjet që kanë nevojë për banim do të ju zgjatej periudha e qëndrimit edhe për një kohë ndërsa familjet tjera të largohen. Kështu do të krijoheshin stoqe komunale të banimit për tu përdorur edhe për rastet e tërmeteve.

Komunat duhet të mendojnë që të e rrisin numrin e banesave në pronësi të vet. Një mënyrë efikase do të ishte që në vend të taksave të marrin banesa me çka do të rritshin stoqet e banesave të shpërndarë nëpër qytet.

Formë tjetër e krijimit të fondit të banesave nga komunat mund të jetë që komunat të jenë hisedar për përfitim të banesave në troje komunale. Ka edhe forma tjera të përfitimit nga ana e komunave. Krejt çka duhet është pak vullnet, kreativitet dhe normalisht dije.

Driton Tafallari është Drejtor i organizatës “Developing Together”.

Artikujt e publikuar në rubrikën e mendimeve pasqyrojnë opinionin e autorit dhe jo domosdoshmërisht të BIRN apo Gazetës Jeta në Kosovë