Tërmeti në Shqipëri, Prishtina aktivizon alarmin publik

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shprehur gatishmërinë e kësaj komune për ofrimin e ndihmës ndaj qytetarëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Sipas tij, kanë aktivizuar ekipet e veta emergjente për monitorim të gjendjes në Kryeqytet.

“Ekipet përkatëse të Shërbimeve Publike dhe ato kujdestare të Inspekcionit janë në gjendje gatishmërie në rast të ndonjë emergjence”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social ‘Facebook’.

“Gjithashtu, Komuna ka kërkuar nga zjarrfikësit, kompanitë komunale dhe rajonale, si dhe ato të kontraktuara, të mirëmbajtjes së rrugëve, që me të gjitha kapacitetet njerëzore dhe makineritë e tyre të jenë të gatshme për ndihmë në rast nevoje”, vijon njoftimi.

Ahmeti ka shkruar se këto masa po ndërmerren me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë dhe shpejtësisë së reagimit, në rast se ballafaqohemi me situata të emergjente.

“Komuna e ka aktiv sistemin e alarmimit publik, dhe ai do përdoret në rast nevoje”, thuhet më tej në njoftim.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Shqipëri është rritur në 15 .

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për ndihmë në Republikën e Shqipërisë pas tërmetit të sotëm.

Thellohet tragjedia, numri i viktimave shkon në 13, në Thumanë dhe Durrës shpëtohen 28 njerëz