Tërmeti në Durrës, Policia aksion për arrestimin e ndërtuesve ilegalë

Në orët e para të mëngjesit, Policia ka nisur një aksion të gjerë me arrestime në qytetin e Durrësit, raporton Top Channel.

Arrestimet dhe shoqërimet në drejtori po zhvillohen në kuadër të hetimeve për dëmet e tërmetit të datës 26 nëntor.

Sipas burimeve të këtij mediumi, në mes të ndaluarve ka edhe të dyshuar për shembjen e godinës në brendësi të Kavalishensës, ku ndërroi jetë kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Bëhet me dije se Prokuroria ka grupuar në një të vetme dosjet e Mira Mares, Kavalishensës, pallatit gjashë katësh tek stadiumi, pallatit gjashtë katësh tek zona e dy gjelave, ish Tropikali, ndërtesa katër katëshe në kënetë dhe vila Palma.

Nga shembja e këtyre ndërtesave pati viktima, ndaj dhe hetimet u regjistruan për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Menjëherë sapo mori detyrën, kryeprokurori Olsian Çela kërkoi konkretizim të hetimeve , pas një takimi që zhvilloi në prokurorinë e Durrësit dhe Krujës. Mesazhi i i tij ishte ” mos i zvarrisni hetimet, njerëzit duan drejtësi”.

Sipas këtij mediumi, janë 17 urdhëra arresti.