Zhvendosja e të burgosurve nga burgu i Shën Kollit

Tërmeti dëmton burgun e Lezhës, transferohen të dënuarit

Tërmeti  6.4 ballë i shkallës Richter që goditi të martën Shqipërinë ka dëmtuar dhe strukturën e burgut të Lezhës, duke i detyruar autoritetet të transferojnë në struktura të tjera riedukimi të dënuarit.

 

Lëkundjet e forta sizmike nuk kanë kursyer as burgun e Shën Kollit në Lezhë. Godina numër 2 e këtij institucioni ka pësuar dëmtime te shumta nga tërmeti. Sipas burimeve të ndryshme, muret kanë pësuar plasaritje në disa pjesë, duke sjellë frikë dhe panik tek të burgosur por dhe gardianët e këtij burgu.

Duke parë rrezikun që paraqet godina, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori vendim për transferimin e të burgosurve te kësaj godine në institucione të tjera. Rreth  150 të dënuar që vuanin dënimin në Lezhë u transferuan gjatë ditës së mërkurë drejt burgut të Reçit ne Shkodër.

Procesi i transferimit është realizuat rreth orës 16:00 të së mërkurës, nën masa të rrepta siguria. Të burgosurit janë dërguar drejtë Reçit me 1 autobus si dhe 20 furgona të policisë se burgjeve.

Ata u nisën autokolone nga Shën Kolli i Lezhës drejt Reçit, ndërsa janë shoqëruar edhe nga forcat e policisë së Lezhës për të garantuar sigurinë. Burgu i Shën Kollit është ndërtuar në vitin 2003 dhe ka një kapacitet prej 650 të dëbuarish.

Ende nuk dihet nëse të dënuarit e transferuar  do të qëndrojnë përkohësisht në burgun e Reçit, apo do të rikthehen në ambientet e burgut te Shën Kollit.

Ndërkohe sipas burimeve, një grup ekspertësh do të inspektojnë të gjitha godinat e burgut te Shën Kollit për të parë nëse përbejnë rrezik.  Por nga raportimet bëhet e ditur se dëme serioze ka pësuar vetëm godina numër 2 – pasi godinat e tjera kane dëmtime të vogla vetëm në pjesën e suvasë.