Tërmetet në Turqi-Siri: Si ndihmoi Twitter në gjetjen e të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja

Qindra mijëra mesazhe për ndihmë vërshuan në platformat e mediave sociale si pasojë e tërmetit të mëngjesit të hershëm që tronditi Turqinë dhe Sirinë në fillim të javës së kaluar.

“Ju lutemi dërgoni ndihmë, ne jemi gjallë, ja ku është adresa jonë”, shkruan disa të mbijetuar, ndërsa mesazhe të tjera u postuan në emër të atyre që janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Sipas platformës online të të dhënave Statista, 16.1 milionë njerëz e përdorën Twitter në Turqi që nga janari i vitit 2022, duke e bërë atë vendin e shtatë më të madh për sa i përket përdoruesve më aktivë në platformën e mediave sociale.

Në kohën kur një tërmet i dytë i fuqishëm goditi të njëjtën zonë në orët e para të pasdites, qindra zhvillues turq, kodues dhe vullnetarë në internet ishin organizuar tashmë në Discord për të ngritur projekte me burim të hapur duke përdorur të dhëna nga platformat e mediave sociale si Twitter dhe Instagram. 

“Menaxhimi i fatkeqësive nuk duhet të jetë aq i varur nga sektori privat, por mangësitë në menaxhimin e krizave i kanë detyruar njerëzit ta bëjnë këtë”, thotë Sedat Kapanoğlu, një nga koduesit më të njohur të Turqisë dhe një mbështetës i grupit Açık Yazılım Ağı (Rrjeti i Open Software) i cili tani numëron mbi 21,000 vullnetarë në radhët e tij.

Një nga projektet që vullnetarët e teknologjisë e bën bashkë është Afetharita.com – fjalë për fjalë “harta e fatkeqësive” – e cila përdor inteligjencën artificiale për t’i vizualizuar kërkesat për ndihmë të postuara në mediat sociale.

Sidoqoftë, ekipi u pengua nga kufizimet nga API-ja e Twitter (një ndërfaqe që lejon dy softuer të komunikojnë me njëri-tjetrin). Kapanoğlu i bëri një kërkesë të drejtpërdrejtë Elon Muskut për të hapur qasjen në të, por ajo u bë e tepërt falë një vale të mbështetjes popullore për projektin e hartës.

“Ne i shkruam Elon Muskut për API-në e Twitter-it, por më pas na u afruan njerëz që [ofruan qasjen e tyre të zgjeruar në API], kështu që nuk kishim nevojë për ndihmë shtesë nga Musk”, thotë Furkan Kiliç, një nga zhvilluesit kryesorë prapa Open Software Network.

Sipas shifrave të fundit zyrtare, rreth 37,000 njerëz kanë vdekur deri më tani pas dy tërmeteve, dhe me motin e ftohtë të dimrit, shanset që më shumë të mbijetuar të gjenden të gjallë në rrënoja po pakësohen.

“Nuk e dimë sa jetë u shpëtuan”

Ndërkohë që disa janë ankuar në mediat sociale për reagimin e ngadaltë të agjencisë së shpëtimit të qeverisë, afetharita.com ndau të dhënat e saj me OJQ-të në mënyrë që ato të mund të ofronin kërkim dhe shpëtim në vendet e duhura.

“Këto të dhëna mund të ndahen edhe me institucionet shtetërore nëse ata e kërkojnë një gjë të tillë”, thotë Kiliç. Por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se vetëm një hartë nuk mund të shpëtojë jetë.

“Ne nuk e dimë se sa jetë u shpëtuan me këtë hartë, më së shumti që mund të bëjë është t’u tregojë informacionin e vendndodhjes ekipeve të shpëtimit”, tha ai për Euronews Next.

“Prandaj, ne nuk mendojmë se është e drejtë të thuhet se kemi shpëtuar X numër njerëzish. Qëllimi ynë, ashtu si gjithë të tjerët, është të përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë atje sa të mundemi”.

Vendimi i qeverisë turke për ta bllokuar përkohësisht Twitter të mërkurën për shkak të “shqetësimeve të dezinformimit” u prit me mosbesim tek përdoruesit e platformës.

Sipas Kapanoğlu, mbledhja e softuerit dhe përpilimi i të dhënave nga Twitter u ndërpre gjithashtu nga ky vendim i qeverisë.

“Viktimat e tërmetit që kishin të instaluar vetëm Twitterin në telefonat e tyre po bënin që zërat e tyre të dëgjoheshin nga atje”, tha ai.

“Thirrjet për ndihmë nga ata që nuk e përdornin Twitter dhe nuk kishin ndjekës u transferuan në Twitter dhe u bën të dukshme nga atje. Të gjitha operacionet e shpëtimit që përdorën Twitter u ndaluan për aq kohë sa platforma ishte e bllokuar”.

Pasi harta nuk do të jetë më e dobishme për përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit, të dhënat do të kalohen në institucionet përkatëse dhe do të hiqen nga faqja e internetit.

Mirëpo, ekipi i zhvilluesve vullnetarë janë të prirur për ta mprehur aftësitë e tyre dhe për ta vazhduar zhvillimin e projekteve me burim të hapur.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë sisteme që mund të funksionojnë nën çdo lloj ngarkese për OJQ-të dhe institucionet shtetërore në rast të një fatkeqësie të mundshme, të cilën shpresoj se nuk do ta përjetojmë më asnjëherë dhe nuk do të kemi nevojë ta përdorim kurrë”, shton në fund Kiliç./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala