Tërmet në Kosovë, epiqendra 16 km në jugperëndim të Prizrenit

Një tërmet 4.0 ka goditur Kosovën, në orët e hershme të së enjtes, më 12.12.2024.

Shemsi Mustafa, udhëheqës i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, ka njoftuar në Facebook se epiqendra e këtij tërmeti ishte 15 km në jugperëndim të Prizrenit, 15 km në verilindje të Kukësit, në fshatin Vërmicë.

“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndimore të Kosovës. Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikojë qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës së ulët. Njëherësh, ky tërmet dëshmon për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive, e cila në të ardhmen mund të gjenerojë tërmete me magnitudë më të madhe. Ashtu, sipas llogaritjeve e studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë.” – ka shkruar Mustafa.

Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC) ka njoftuar se tërmeti i parë 4.0 shkallë të Rihterit ka ndodhur në ora 01:46 dhe se epiqendra e dridhjeve ishte 16 kilometra në jugperëndim të Prizrenit.

Thellësia e tërmetit ishte 16 km.

Dridhjet janë ndjerë edhe në qytetet e tjera dhe në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, gjithashtu sipas EMSC, tërmeti tjetër me shkallë 3.2 të Rihterit ka ndodhur në ora 03:59, 17 km në jugperëndim të Prizrenit, ose 7 km në veriperëndim të Dragashit.

Tërmeti ishte 11 kilometra thellësi.