Tërhiqet pika që parashihte marrjen e të hyrave vetanake të pashpenzuara të komunave

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka bërë të ditur se pas lobimit nga ana e tyre, Parlamenti i Kosovës ka tërhequr pikën ku parashihej marrja e të hyrave vetanake të pashpenzuara nga komunat.

“Pas lobimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Parlamenti i Republikës së Kosovës sapo tërhoqi pikën 6 të nenit 9 ku ishte i paraparë marrja e të hyrave vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake”- është shprehur ai.

Sipas tij, nëse buxheti do miratohej në atë formë, komunat do humbnin dhjetëra miliona euro të parapara për investime kapitale si dhe do shkelej ligji për miratim të financava publike, lokale dhe karta evropiane për qeverisje lokale.

“Po të miratohej kjo pikë e këtij neni, komunat do të humbnin me dhjetëra miliona euro të parapara për investime kapitale të cilat do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarit. Gjithashtu, po të miratohej kjo pikë e këtij neni, atëherë do shkelej Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, ai për financa lokale por edhe Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Urime komunave të Republikës së Kosovës!”- është shprehur ai.

Lidhur me këtë largim të kësaj pike ka reaguar edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj i cili u shpreh se të hyrat vetanake janë vetëm të komunave dhe qytetarëve të tyre.

“Neni anti-kushtetues i projektligjit të buxhetit 2023, nuk kalon! Pra, të hyrat vetanake të Komunave, janë vetëm të Komunave dhe qytetarëve të tyre.  Falënderoj grupin parlamentar të LDK-së për propozimin e bërë, dhe për mbrojtjen e një të drejte elementare kushtetuese”- ka shkruar Zogaj.

Kundërshtimet e Komunave pasi qeveria planfinikon t`ua marr mjetet vetanake të pa-shpenzuara