Tërhiqet nga vendi i ngjarjes trupi i policit të vrarë

Ekipi i Mjekësisë Ligjore ka tërhequr trupin e policit të Kosovës, Sami Thaqi, nga vendi ku u vra sonte nga një shpërthim në një shtëpi në Zhur të Prizrenit.

Sami Thaqi u vra dhe dy kolegë të tij u plagosën gjatë një operacioni bastisjeje në një shtëpi pas raportimit nga familjarët të një rasti të dhunës në familje dhe për posedim të dyshuar të narkotikëve nga pronari i shtëpisë.

Policia e Prizrenit ka njoftuar se në këtë incident lëndime trupore ka pësuar edhe një fëmijë 8-9 vjeç.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zyrtarët më të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë drejtorin e përgjithshëm, Rashit Qalaj, dhe drejtori i Drejtorisë së Operacioneve, Afrim Ahmeti.

“Policia e Prizrenit ka marrë një thirrje telefonike nga familjarët e shtëpisë për një rast dhune në familje, dhe, po ashtu, familjarët e kanë njoftuar Policinë për dyshimet për posedim të lëndëve narkotike nga pronari i shtëpisë, dhe policët i janë përgjigjur thirrjes sa më shpejt që ishte e mundur dhe është angazhuar edhe Njësiti i Anti-Drogës dhe pas marrjes së lejes nga Prokuroria, ka filluar bastisja dhe fillimisht është dashur të kontrollohet shtëpia për personat e rrezikshëm brenda dhe policët e Anti-Drogës kanë shkuar në katin e sipërm dhe në atë moment ka shpërthyer një mjet shpërthyes”, tha për KALLXO.com drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Ky është polici që u vra sonte në Zhur (FOTO)