Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tërhiqet kandidati serb Aleksandar Arsenijeviq nga gara për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut

Kandidati i vetëm serb për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Aleksandar Arsenijeviq është tërhequr nga gara për kryetar të kësaj komune.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijeviq, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut”- tha Elezi.

Ai shtoi se, sipas arsyetimit me shkrim, Arsenijeviq e ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të mbahen më 18 dhjetor.

Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri.