Tentuan të vrasin një grua me nipin e saj, në kërkim ish-dhëndëri kosovar

Policia e Shtetit ka njoftuar se një 42 vjeçar nga Kosova është arrestuar nëndyshimin se tentoi të vriste të moshuar dhe nipin e saj të mitur, duke rrahur dhe duke i lënë pa ndjenja në banesën e tyre, të cilës më pas i vunë qëllimisht zjarrin.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim autori i dyshuar kryesor i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. B., 51 vjeç, banues në Kosovë.

42-vjeçari, G.B, u kap në PKK Morinë, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër kosovar, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi atë.

Dyshohet se shtetasit H. B., në bashkëpunim me shtetasin G. B., kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar dhe nipin e saj të mitur (ish- vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit H. B.), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Llakatund, Vlorë, dyshohet se për motive të dobëta, 2 shtetas kishin dhunuar fizikisht një 70-vjeçare dhe nipin e saj 14-vjeçar, dhe më pas kishin tentuar t’i vrisnin ata, duke i vënë zjarrin banesës ku këta 2 shtetas gjendeshin pa ndjenja, kanë organizuar punën për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtij rasti”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

2 shtetasit e dëmtuar kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e shtetases së moshuar dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. B. dhe G. B., si dhe “Moskalllëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit D. K.