Tentoi t’i kontrabandojë më shumë se 1 mijë kilogramë gjizë nga Serbia, kapet nga Policia

Policia e Kosovës bashkë me Dogana e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandës mbrëmë, më 29.08.2024 në 19:00h në brezin kufitar mes Serbisë Kosovës.

Nga zyrtarët policor e doganor është ndaluar një automjet, kombi – furgon, i cili është vënë re duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Policia tha se pas ndalimit, gjatë kontrollit të kombit, i cili po drejtohej nga i dyshuari janë gjetur të ngarkuara 102 kovë me nga 10 kilogramë gjizë me peshë prej gjithsej 1020 kilogramë, pa dokumente përcjellëse mbi prejardhjen e mallit.

Tutje u tha se lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet procedurale në bashkëpunim edhe me prokurorinë e shtetit, ndërsa automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor përkatës.