Forcat RENEA - Foto: Facebook/PoliciaeShtetit

Tentoi të vrasë me armë zjarri fqinjët, kapet në flagrancë i dyshuari

Ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti mes fqinjsh në Pogradec.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Buçimas dy familje fqinje po konfliktoheshin me njëra-tjetrën, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Korçë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Atje, shtetasi I. H., 58 vjeç, banues në fshatin Buçimas, pasi ishte konfliktuar për motive të dobëta me fqinjin e tij I. J., 52 vjeç dhe bashkëshorten e këtij të fundit, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të tyre.

Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes, si edhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, i cili mund të sillte pasoja të rënda për jetën.

Policia e Shtetit njofton se në cilësinë e provës materiale 58-vjeçarit iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit me 4 fishekë në krehrin e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje i armëve dhe municionit”.