Tentoi të bënte vetëvrasje me medikamente, përfundon në spital i riu në Gjakovë

Mbrëmë, pas mesnate, në Gjakovë një person dyshohet se ka tentuar të bëjë vetëvrasje me medikamente të llojeve të ndryshme.

Për këtë rast, Stacioni Policor ka marrë informatën nga Emergjenca e Gjakovës.

Patrulla policore ka shkuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, të cilët po ashtu kanë raportuar se viktima kishte përdorur medikamente të llojeve të ndryshme por që sasia e përdorur nuk dihej.

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Gjurkaj ka thënë për KALLXO.com se në lidhje me rastin është intervistuar nëna e djalit që dyshohet se tentoi të bënte vetëvrasje.

“Sipas saj, djali i kishte thënë se nuk ndihej mirë dhe se dëshiron të vdes, dhe pasi i kishte thënë këto fjalë, ai kishte konsumuar medikamentet”, ka thënë Gjurkaj për KALLXO.com.

Gjendja e viktimës është e rëndë dhe i njëjti është duke u trajtuar në spital.

Në lidhje me rastin është njoftuar dhe prokurori kujdestar.