Tentohet kontrabandimi i migrantëve përmes dy pikave kufitare në Kosovë

Në dy pika kufitare në Kosovë është tentuar të kontrabandohen migrantë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, në pikë-kalimin në Merdarë dhe në atë të Vërmicës janë hasur disa persona duke dashur të kontrabandojnë migrantë.

Në Vërmicë, janë arrestuar dy të dyshuar burra pasi që në veturat e tyre janë hasur dy shtetas të huaj dhe disa të dyshuar tjerë të cilët kanë ikur në drejtim të pyllit. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.

Kurse në Merdarë, në veturë ka qenë dhe një i dyshuar burrë dhe viktima mashkull shtetas i huaj, ku gjatë kontrollimit të dokumentacionit viktima nuk ka poseduar vizë ose leje qëndrim për Republikën e Kosovës, andaj zyrtarët policor kanë urdhëruar kthimin e viktimës, mirëpo drejtuesi i veturës, i dyshuari ka refuzuar urdhrat dhe me veturë ka ikur nga pika kufitare duke u futur në territorin e Republikës së Kosovës.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, të dyshuarit janë vënë në kërkim policor. Lidhur me rastin më 26.03.2022 pas grumbullimit të dëshmive  janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar dhe ndaj të dyshuarve ndiqet procedurë kundërvajtëse, kurse për shtetasin e huaj njësia për migrim dhe të huaj është duke e trajtuar rastin.

Në konsultim me prokurorin pas përfundimit të procedurave të dyshuarit  janë liruar.