Tentohet kontrabanda në Qendrën Korrektuese të Dubravës, gjenden tre telefona e një mbushës
Departamenti për Siguri i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës sot, më 29.08.2024, në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit, nga zyrtarët korrektues u organizua një bastisje në zonën sterile nga Njësiti K-9 i SHKK-së.
SHKK tha se gjatë bastisjes, u gjetën tre telefona mobil dhe një mbushës për telefon.
“Telefonat u lokalizuan dhe tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar mënyrën se si është tentuar futja e këtyre pajisjeve kontrabanduese brenda qendrës korrektuese” – është thënë në njoftimin e Shërbimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe riafirmon që nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon rendin dhe sigurinë në këto institucione.