Foto: Facebook

Tentimi i marrjes së pompës në veri të Kosovës nga Ex Fis, flet drejtori i AKP-së

Se ka ndërhyrje tashmë është e ditur, kjo edhe pasi që Zyra Rajonale e AKP-së në Mitrovicë ka konstatuar me anë të raportit fillestar tentimin që Ex Fis bëri për të marrë pompat e derivateve në veri të Kosovës. 

Kreu i AKP-së Arben Limani tha se Ex Fis ka bërë kërkesë për qira direkte për pompa të derivateve para disa jave, por që nuk i ishte aprovuar. 

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka biseduar përmes telefonit me drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Arben Limanin, i cili kur u pyet nëse kanë arritur të konfirmojnë se Ex Fis ndërhyri në pronë të institucionit që drejton.

“E kemi një raport nga zyra rajonale dhe jemi duke e shqyrtu në kontekst të zhvillimeve dhe të dalim me një konstatim”- tha Limani deri sa pyetja e KALLXO.com nëse ka pas ndërhyrje pason me përgjigjen nga Limani, “Normal që ka sepse ata (zyra e AKP-së) kanë dalë në terren dhe e kanë parë”.

Kanë kaluar më shumë se një javë prej kur kompania e derivateve Ex Fis tentoi që përmes vendosjes së logove të marrë pompa të derivateve në veri të Kosovës, dhe deri më tani ende nuk ka një vlerësim përfundimtar se çka saktësisht ndodhi. 

Një njoftim i AKP-së si reagim publik thotë se kompania kërkoi qira direkte ndërsa u ishte kërkuar që të largojnë logot pas një keqkuptimi mes AKP-së dhe kompanisë. 

Rasti ende është duke u trajtuar te Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nuk është dërguar për hetim të mëtejmë në polici apo prokurori për të vlerësuar nëse Ex Fis bëri vepër penale apo jo deri sa vendosi logot e saj pa ndonjë kontatë apo leje në njërën nga pompat e derivateve në Mitrovicë të veriut. 

Në një bisedë me ekipin e KALLXO.com, drejtori i AKP-së tha se detajet nuk i di por se është i njoftuar për rrjedhën e këtij rasti. 

“Jemi në shqyrtim e sipër të të gjitha veprimeve që janë ndërmarrë atje lart, në rastin e pompave që i kemi liru nga operatorët që nuk kanë qenë të licencuar dhe jemi duke shqyrtuar të gjitha këto hapa dhe veprime dhe nëse shohim që ka bazë ligjore për cka do procedimi tutje të çfarëdo natyre ne do të marrim veprime”- tha Limani për KALLXO.com. 

Ai shtoi se nuk ka ngecje në ndërmarrje por që rasti është duke u trajtuar në detaje. 

“Ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet në menaxhment në marrjen në posedim të këtyre provave. Ne duhet të konstatojmë se a ka bazë ligjore sepse çështja e kualifikimit për uzurpim nuk është çështje e lehtë të kualifikohet si uzurpator, jemi duke ndërmarrë të gjtha analizat dhe do të shohim si interpretohen ato veprime që na janë paraqit neve”- shtoi Limani. 

“Kur kanë dalë ekipet në terren shenjat e Ex Fis kanë qenë të hequra dhe raporti i ekipeve në terren ka ardh se shenjat nuk ekzsitojnë dhe ne duhet me analizu se pse një kompani ka vendos shenjat, ndoshta ka keqkuptu ndoshta, nuk e di si kam informacionet ende. Konstatimin e bën AKP”- thotë ai. 

Kompania e derivateve “EX FIS”  ka tentuar që nëpërmjet dërgimit të një email-i t’i marrë në posedim pompat të cilat ditë më parë Qeveria Kurti njoftoi se u kthyen në posedim të institucioneve të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, më 16.07.2024 njoftoi se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbyllur pompat e derivateve që mbanin logot e “Nis Petrol”.

Ai tha se procedurat e mbylljes u bën nga AKP, kurse Policisë i ishte kërkuar të ofronte asistencë.

Pompat që janë në pronësi të AKP-së ishin shfrytëzuar me qira nga kjo kompani ndërsa për shkak të mungesës së licencës ato u mbyllën.

10 ditë më vonë, kompania e derivateve ‘Ex Fis”, e cila është në mesin e donatorëve të Vetëvendosjes, kishte vendosur logot e saja në pompën e derivateve.

Më 26.07.2024, në rrjete sociale u publikuan fotografi të cilat tregonin se si disa punëtorë kishin nisur vendosjen e logove ndërsa vetëm një ditë më pas ato logo ishin larguar pasi AKP kishte konstatuar se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë në procesin e prokurimit.

Më 29.07.2024 KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga AKP për këto veprime mirëpo përgjigjja e parë ka ardhur në një reagim publik të AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në një njoftim për media ka thënë se “EX FIS” kishte bërë kërkesë zyrtare për marrjen e disa pikave shitëse me qira direkte.

“Me rastin e parashtrimit të kërkesës është keqkuptuar se të njëjtit mund të vazhdojnë me brendim të pikës shitëse. Pasi që AKP e ka pranuar informatën se ka brendim të kësaj pike shitëse, menjëherë e ka sqaruar keqkuptimin me EX FIS të cilët i kanë larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira”- thuhet në njoftimin e AKP-së më 30.07.2024.

Tutje në njoftim thuhet edhe se nga informatat që ka AKP me lejen e inspektoratit, operatorëve të naftës u është lejuar tërheqja e karburanteve të naftës nga këto pika shitëse të karburanteve, të cilat importuesit/shitësit me shumicë i kanë shitur tek qiramarrësit e deritanishëm.

Pasi ishte nisur brendimi i pompës së derivateve nga “EX FIS”, AKP kishte kërkuar që të largoheshin të njëjtat.

“Me marrjen e informatës nga AKP, se ka brendim të kësaj pike shitëse, EX FIS menjëherë ka larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira”- thuhet tutje në njoftimin e AKP-së.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga kompania “EX FIS”, mirëpo e njëjta nuk ka ofruar sqarime se pse kishte ndërhyrë në pronat e AKP-së pa pasur kontratë valide.

“Pershendetje, jam jashtë vendit momentalisht. Drejtohuni me email dhe pastaj departmenti përkatës përgjigjet”- ka thënë Genc Bajrami, menaxher i shitjes në “EX FIS”.

Kompania “EX FIS” është në pronësi të Isa Muharremit.

Kjo kompani figuronte edhe në listën e financuesve të Vetëvendosjes në vitin 2020.

Në atë kohë vlera më e madhe e mallrave si donacion ishte nga kompania e derivateve ‘EX FIS’ – 9,534 euro.

Pasi vendosi më 26.07.2024 logon në pompën e derivateve, e cila gjendet vetëm pak metra larg stacionit policor në veri të Mitrovicës, “EX FIS” e largoi atë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e bordit të AKP-së, Mentor Hysenin, i cili pranoi se shpallja për qiradhënie ende nuk ka përfunduar ndërsa deri më tani nuk është dhënë asnjë kontratë për asnjë kompani që të vendosej aty.

“As edhe një kontratë nuk i është dhënë askujt, mundësitë i kanë të barabarta të gjitha, për me apliku në secilën nga pompat atje, tash ato çështje a ka shku ‘EX-FIS’ apo jo nuk e di sepse ka qenë edhe Ministria e Tregtisë e involvuar”- tha Hyseni përmes telefonit për KALLXO.com.

Pra ai thotë se nuk ka njohuri si ka arritur “EX FIS” para pak ditësh të vendosë logon e saj e më pas të largojë ndonëse shpallja publike ende është valide dhe AKP në bazë të njoftimit do të pranojë oferta deri më 09.08.2024.

“Periudha e qiradhënies është për 2 vite me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit”- thuhet në njoftimin e AKP-së me datë 26.07.2024.

Shpjegimet e drejtorit të bordit të AKP-së pse nuk u dërgua “Ex Fis” në prokurori pasi vendosi logot në një pompë derivatesh në veri