Ilustrim

Tentim vrasje në Elbasan, policia arreston edhe një mjek që nuk raportoi për të dhënat e pacientit

Një person po dyshohet se tentoi që me një mjet të mprehtë të vras një 26 vjeçar. Ngjarja e regjistruar në Elbasan u zbardh brenda disa orësh nga ana e policisë ndërsa si rezultat i veprimeve edhe një doktor u vu në pranga për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për ngjarjen që u regjistrua më 11.10.2024 në qytetin e Elbasanit. Fillimisht policia kishte marrë një njoftim se në lagjen “Haxhias”, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës një 26-vjeçar.

Menjëherë pas informacionit policia nisi punën për kapjen e autorit të ngjarjes.

Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K., mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku kujdestar, në spitalin ku ka marr mjekim 26-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij.