Ilustrim Foto: KALLXO.com

Tentim-vrasja në Prishtinë, arrin në 4 numri i të arrestuarve

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot janë arrestuar edhe tre persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në rastin e tentim vrasjes që ka ndodhur dje në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Sipas Policisë, hetimi fillestar dhe sqarimi i rrethanave rreth rastit nga ana e hetuesve ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar : R.I., 19-vjeç dhe G. H., 19-vjeç.

Po ashtu, masa e arrestit policor i është shqiptuar edhe njërit prej personave të lënduar: A.V., 19-vjeç, i cili sipas Policisë, po vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK.

Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas raportimit të rastit nga zyrtarët e njësitit të hetimeve të përgjithshme është identifikuar dhe arrestuar njëri nga personat e dyshuar ku i dyshuari D.B, 19-vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

“Aktualisht hetuesit janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për rastin i cili është cilësuar si Vrasje në tentative” – është thënë në njoftim.

Lidhur me këtë rast, Policia ka shpjeguar se të shtunën e 4 marsit rreth orës 13:00 ka marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë.

Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona, njëri nga ta dyshohet të ketë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.

Sipas njoftimit, personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.