Tentim grabitje në një Institucion Mikrofinanciar në Prishtinë

Në Policinë e Prishtinës është raportuar se të martën, më 18.02.2025, rreth orës 11:00 ka ndodhur një tentim grabitje në një Institucion Mikrofinanciar, në rrugën “Agim Ramadani”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas Ahmetit, në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin.

Emisioni KallxoPërnime, më 15.02.2025, transmetoi pamje ekskluzive të xhiruara me Prokurorinë e Shtetit të një hetimi disamujor për arrestimin dhe shkatërrimin e një grupi që kryente grabitje në markete dhe dyqane të rajonit të Prishtinës.

Emisioni ka shfaqur ndjekjen dhe arrestimin e disa personave të këtij grupi i cili po kryente grabitje të marketeve në rajonin e Prishtinës. Grabitjet e tyre nuk u ndalën as në natën kur Policia dhe Prokuroria në Prishtinë ishte duke e organizuar planin për arrestimin në flagrancë të këtij grupi, i cili përbëhej prej 4 personave.

Po atë natë grupi arrin të depërtojë me forcë brenda 5 marketeve të ndryshme, në lagjet e Prishtinës.

Emisioni transmetoi edhe pamjet dhe dëshmitë se si kryheshin grabitjet, ku merreshin veturat që grupi i përdorte për grabitje, si vidheshin tabelat e veturave që u përdorën për të kryer grabitje dhe ku hidheshin ato pasi që përfundonte grabitja.

U transmetuan detaje se si hetuesit arritën ta zbulojnë identitetin e grupit të grabitjeve, edhe pse grabitjet ata i bënin duke qenë të maskuar.

Nëpërmjet rrugëve operative hetuesit kishin siguruar të dhëna, se ky grup ishte i përgatitur mirë dhe koha e grabitjes brenda një lokacioni ishte më e vogël se 2 minuta.

Në videot e xhiruara nga kamerat e sigurisë të cilat tashmë janë pjesë e hetimit për këtë grup vërehet se si me shpejtësi ata depërtojnë brenda marketeve në rajonin e Prishtinës.

Blerim Igrishta, prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ka treguar se hetimi i këtij rasti ka nisur në gushtin e vitit 2024.

“Në gushtin e vitit 2024 hetues policorë nga Stacioni Policor i Fushë Kosovës kërkojnë autorizime nga unë për përdorimin e masave të fshehta të vëzhgimit e hetimit të një grupi te grabitësve. Hetuesit më kanë treguar se në rrugë operative kanë siguruar të dhëna për funksionimin e grupit, i cili grabitjet i kryente gjatë orëve të natës dhe vetëm ditëve të vikendeve. Më pas unë kam lëshuar Udhëzimet dhe kam kërkuar nga Gjykata autorizimet për identifikimin e këtij grupi.” – ka thënë Igrishta.