Foto: KALLXO.com

Tentim-grabitja në Prizren, janë arrestuar 3 të dyshuar

Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë së Prizrenit, lidhur me rastin e tentim-grabitjes që ka ndodhur në një argjendari në Prizren ka njoftuar se tashmë janë arrestuar tre të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur më 15 nëntor në Prizren, ku disa persona të armatosur me Kallashnikovë kanë tentuar të grabisin një argjendari.

Në një konferencë për media, kryeprokurori Shala dhe drejtori i Policisë, Faton Aliu, kanë dhënë detaje lidhur me rastin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.

“Gjatë sigurimit të provave materiale kemi arritur të bëjmë identifikimin e disa nga të dyshuarit, dhe për momentin janë të arrestuar tre persona”, deklaroi prokurori.

Tutje ai bëri të ditur se dy persona janë arrestuar sot gjatë një bastisjeje me urdhër të Gjykatës së Prishtinës dhe njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar mbrëmë.

Shala ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve Prokuroria tashmë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kryeprokurori Shala tha se ende nuk dihet motivi i kësaj tentim-grabitjeje.

Ndërkaq, shefi  i Policisë së Prizrenit, Faton Aliu, lidhur me incidentin bëri të ditur se menjëherë janë aktivizuar të gjitha njësitë dhe stacionet relevante dhe janë ndërmarrë veprimet e duhura operative.

“Është aktivizuar plani “Unaza e Çeliktë” ku ky rast për dallim prej rasteve tjera është përcjellë me pesë vende të ngjarjes, d.m.th. pesë vende të ndryshme të ngjarjes ku është dashur Policia të fokusohet”, sqaroi ai.

Sipas Aliut e gjithë ngjarja kishte zgjatur 13-15 minuta ku nga kjo kohë automjeti kishte dalë nga rajoni i Prizrenit.  Shefi i Policisë bëri të ditur se nga shkëmbimet e zjarrit qytetarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndërsa, ka dhënë detaje të tjera lidhur me grabitjet në Prizren.

Sipas tij, nga data 1 janar e deri më sot në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 10 grabitje, prej tyre 7 janë të zbuluara.

“70% e rasteve është zbuluar falë bashkëpunimit të mirë që e kemi me qytetarë dhe prokurorinë. Andaj, Policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë informacione të cilat i kanë lidhur me këtë rast apo rastet e tjera”, theksoi Faton Aliu.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë.