Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tentim-grabitja e argjendarisë para rreth një viti në Prizren, arrestohet i dyshuari i pestë

Është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar për grabitje në tentativë të kryer gati një vit më parë.

Sipas Policisë, ai dyshohet se i ka dhënë ndihmë të dyshuarve gjatë tentativës për grabitje që ka ndodhur në nëntorin e vitit 2021 në një argjendari në Prizren.

Gjatë përleshjes, dy viktima, baba e bir, pronarë të argjendarisë janë plagosur me armë zjarri.

“Pronarët kanë rezistuar dhe të dyshimtët janë larguar nga vendi pa arritur që të grabisin argjendarinë. Gjatë përleshjes dy viktimat – babë e bir (pronarë të argjendarisë ) janë plagosur me armë zjarri”- thuhet nga policia.

Në njoftimin e Policisë thuhet se të dyshuarit pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes, në dalje të Prizrenit i kanë vënë zjarrin automjetit të tyre dhe e kanë grabitur një automjet tjetër.

Më tej thuhet se po atë ditë, gjatë ikjes, të njëjtit kanë shkëmbyer zjarr edhe me Policinë e Kosovës në hyrje të autostradës në Suharekë. Pastaj automjeti i grabitur ishte gjetur i djegur në fshatin Murg.

Policia kishte mbledhur provat dhe dëshmitë dhe pas disa ditësh katër persona të dyshuar janë identifikuar dhe janë arrestuar. Ndërsa sot është arrestuar personi i pestë i dyshuar për dhënie të ndihmës në këtë tentim-grabitje.

Në nëntor të vitit 2021, KallxoPernime kishte transmetuar ekskluzivisht arrestimin e të dyshuarve për plagosjen, sulmin ndaj policisë, e tentim-grabitjen në argjendarinë në qendër të Prizrenit.