Tentativat për ‘zhbërjen’ e Speciales

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Njoftimin për aktakuzë prokurori i specializuar deklaron se e ka publikuar pas përpjekjeve për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Ndonëse Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 përpjekjet e para për zhbërjen e saj kishin filluar në dhjetor të vitit 2017.

Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kishin nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohej ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nisma për revokimin e Ligjit mbështetej nga partitë e koalicionit qeverisës të vendit – PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

Propozimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte ngjallur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve të Quintit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në atë kohë, Greg Delawie, e kishte cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës ndaj Amerikës”.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe i asaj kohe, Ruairi O’Connell, e ka quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

Kjo iniciativë nuk ishte përmendur më asnjëherë dhe nuk ishte marrë ndonjë veprim tjetër në drejtim të saj.

Më 1 shkurt 2018, presidenti i vendit Hashim Thaçi pati thënë se Ligji që mundëson funksionimin e Gjykatës Speciale ishte i padrejtë, por s’mund të revokohet, pavarësisht përpjekjeve nga deputetët nga koalicioni qeverisës.

Tentativa e dytë për ta ‘penguar’ punën  e Speciales

Një shkëmbim i letrave mes presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Më 6 mars 2020 Radio Evropa e Lirë kishte publikuar disa letra që tregonin tentativën e presidentit për të penguar punën e Speciales.

Komunikimi ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, ku presidenti i vendit, Hashim Thaci i kishte dërguar një letër Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, ka shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e sekretarit Pompeo, autenticitetin e të cilës e kishte konfirmuar Zyra e presidentit të Kosovës.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët. Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

Deri më tani kjo Gjykatë ka intervistuar qindra pjesëtarë të UÇK-së, në cilësinë e dëshmitarëve ose të dyshuarve për krime lufte, duke përfshirë edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ndërsa presidenti Thaçi muaj më parë kishte thënë se nuk ka marrë ndonjë ftesë për intervistim.

Ndërtesa në Hagë ku është vendosur Gjykata Speciale